Ndërlidhjet

A duhet të japin dorëheqje anëtarët e Qeverisë pas përfundimit të mandatit?


Anëtarët e Qeverisë në detyrë të Kosovës gjatë mbledhjes së mbajtur më 16 prill 2025.
Anëtarët e Qeverisë në detyrë të Kosovës gjatë mbledhjes së mbajtur më 16 prill 2025.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Çështja e dorëheqjes së Albin Kurtit dhe anëtarëve të kabinetit qeverisës që janë zgjedhur deputetë është bërë mollë sherri mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kurti pretendon se është kryeministër në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar të ekzekutivit. Por, partitë që ishin në opozitë mandatin e kaluar, insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv. Ndërkaq, njohësit e ligjeve thonë se kjo situatë është e re dhe me shumë paqartësi në Ligjin për Qeverinë.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të. Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!


Albin Kurti dhe kabineti qeveritar po pretendojnë se janë dorëhequr nga postet ekzekutive qysh më 23 mars. Atë ditë, Qeverisë i përfundoi mandati katërvjeçar.

Dorëheqjen, përmes një letre, Kurti ia konfirmoi edhe kryetarit të deritanishëm të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Por, kjo letër u kontestua nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke mos e pranuar dorëheqjen, në këtë formë, deputetët e këtyre partive votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve dhe rrjedhimisht pamundësuan konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Mesditën e 17 prillit, deputetët u mbodhën sërish për vazhdimin e seancës konstituive. Por, ajo sërish nuk prodhoi asnjë rezultat dhe u caktua vazhdimi i saj për 19 prill.

Por, a mjafton kjo mënyrë e dorëheqjes së Kurtit dhe anëtarëve të tjerë të ekzekutivit?

Disa njohës të Kushtetutës besojnë se po, edhe pse thonë se Ligji për Qeverinë ka gabime dhe bie ndesh me Kushtetutën.

“Nëse ligji nuk funksionon dhe efektet e ligjit janë shumë të rrezikshme për shoqërinë, atëherë nuk zbatohet ligji, por zgjidhet me praktikat [e kaluara] qeveritare. Çfarë ka ndodhur para këtij rasti, kryeministrat e mëparshëm, si kanë vepruar kur kanë qenë duke ushtruar detyrën? Do të thotë kanë qenë deputetë, kanë votuar për deputetë dhe kanë qenë duke ushtruar detyrën [në Qeveri], ushtrues i detyrës nuk është detyrë [e plotë]”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, thuhet se kur anëtari i një qeverie në detyrë zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i tij qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve. Pra, para 27 marsit.

Në gjithë debatin për këtë situatë u përmend si gabim edhe fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka certifikuar si deputetë Kurtin me ministra.

Por, a gaboi KQZ-ja këtu?

Mazllum Baraliu, që më parë e ka udhëhequr këtë institucion, nuk e quan këtë gabim. Sipas tij, ky institucion s’ka kompetencë t’i kërkojë dorëheqje askujt në Qeveri.

“Nuk shkruan askund që [KQZ-ja] ka për detyrë që t’iu thotë atyre të cilët kanë kandiduar për deputet, që të heqin dorë nga punët e tyre [në Qeveri]. Nuk është e rregulluar kjo punë dhe nuk është punë e KQZ-së kjo”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill.

Çfarë tha Kurti për dorëheqjet?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kreu i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kërkesa e partive, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, që ai të japë dorëheqje dhe të mos dalë në zyre në Kryeministri, është e pakuptimtë.

“Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim – thënë së buti – i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha ai gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill.

Partitë e tjera insistojnë që postet e anëtarëve të Qeverisë të zgjedhur deputetë, të udhëhiqen nga zëvendësit e tyre gjatë kësaj periudhe.

Kurti tha se partia e tij është e interesuar që të ecet para me formimin e institucioneve. Por, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po e zvarrit këtë proces, duke argumentuar se partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka 61 vota, aq sa kërkohen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas edhe të formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 15 prill.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 15 prill.

Çka ndodh tani?

Pas mosmiratimit të raportit të Komisionit për mandate, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, iu drejtua presidentes, Vjosa Osmani, për të kërkuar sugjerime se si të vazhdohet. Osmani, brenda pak orësh, më 16 prill iu përgjigj, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve, siç parashihet në Rregulloren e Kuvendit.

Sipas Osmanit, edhe aktgjykimet e Kushtetueses obligojnë deputetët “që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit”.

Partitë morën pjesë në seancë, por në të shkuan me qëndrime të njëjta. Në nisje të vazhdimit të seancës, kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja, i ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Pasi tha se nuk kishte konsensus se si të vazhdohet tutje, ai e ndërpreu seancën dhe caktoi që ajo të vazhdojë të shtunën.

LVV-ja tha se PDK, LDK dhe AAK po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, por akuzë të njëjtë këto parti drejtuan nga partia e Kurtit. Ata argumentuan se LVV-ja me shtyrjen e seancës për 48 orë, po "blen kohë për pazare politike", pasi, sipas tyre, partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka shumicën.

Nëse të shtunën kalohet pika e parë e rendit të ditës, atëherë deputetët do të mund të betohen, më pas të zgjedhin kryetarin e nënkryetarët dhe kështu të përmbyllin konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Vetëm pas kësaj, do të fillonin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme, prandaj arritja e një koalicioni qeverisës duket opsion i pashmangshëm.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG