Lufta në Ukrainë i ka detyruar nacionalistët serbë të Bosnjës të shtyjnë planet për të tërhequr rajonin e tyre nga institucionet kombëtare të Bosnje e Hercegovinës, deklaroi udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik.
Dodik foli më 6 qershor gjatë një sesioni parlamentar të Republika Srpska ku ai bëri thirrje për të siguruar mbështetje kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Në sesion u diskutua për "informacionet mbi situatën ndërkombëtare politike dhe të sigurisë, dhe rolin e Republikës Srpska."
Dodik shkaktoi krizën më të keqe politike të Bosnje e Hercegovinë që nga fundi i luftës të viteve 1990, pasi deklaroi në fund të vitit të kaluar se Republika Srpska, entiteti etnik-serb, do të tërhiqej nga ushtria e përbashkët e vendit të Ballkanit Perëndimor, nga organi më i lartë gjyqësor dhe nga administrata tatimore.
Parlamenti i Republika Srpska në dhjetor votoi për të filluar punën për një mocion jodetyrues që synon të hapë rrugën për shkëputje nga institucionet kombëtare boshnjake.
Por 'kushtet e ndryshuara politike' të shkaktuara nga lufta në Ukrainë kishin shkaktuar një vonesë, tha Dodik, plani i të cilit mbështetet nga Moska.
Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka bërë vazhdimisht thirrje për shkëputjen e entitetit serb nga pjesa tjetër e Bosnjës, të cilën ai e quajti një "eksperiment nga komuniteti ndërkombëtar" dhe një "shtet i pamundur dhe i imponuar".
Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se ndarja e administratës ushtarake, policore dhe tatimore të njësisë serbe nga qeveria qendrore e Bosnje e Hercegovinës do të binte ndesh me marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995 që i dhanë fund luftërave në Bosnje.