Rrjeti i organizatave joqeveritare në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), është shprehur e shqetësuar për integritetin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pasi ka thënë se ngjyra matrikuluese që do të përdoret për ta shenjëzuar gishtin e votuesit “nuk i përmbush standardet e kërkuara”.
Sipas DnV-së, që është thirrur në burime brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ngjyra matrikuluese do të duhej të qëndronte në gisht të votuesit për të paktën 48 orë - gjë që thonë se s’ndodh me ngjyrën që do të përdoret në zgjedhje.
“Ngjyra matrikuluese që është pranuar javën e kaluar përmes procedurave tenderuese nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara. Sipas këtyre informatave, shenja e matrikulimit po qëndron në gisht pak kohë dhe e njëjta mund të fshihet lehtësisht”, thuhet në reagimin e DnV-së në Facebook.
“Kjo do të mund të cenonte seriozisht integritetin e procesit zgjedhor”, paralajmëron DnV-ja.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar KQZ-në lidhur me këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje deri tani.
Përdorimi i ngjyrës matrikuluese ka nxitur kundërshtime edhe më parë, pasi që grupe të shoqërisë civile i kishin thënë Radios Evropa e Lirë se janë të shqetësuara se kjo praktikë mund t’i ekspozojë publikisht votuesit, duke çuar potencialisht në stigmatizimin e tyre.
Me rregulloren e miratuar më 21 qershor të vitit 2024, KQZ-ja kishte vendosur që, për herë të parë, në zgjedhjet e reja të përdoret kjo ngjyrë. Në zgjedhjet e mëparshme është përdorur sprej i padukshëm, i cili ka mundur të verifikohet vetëm me dritë ultravjollcë.
Në Kosovë, e drejta për të votuar është private.
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen të dielën, më 9 shkurt. Të drejtë vote në këto zgjedhje parlamentare kanë mbi dy milionë persona.