Djathi Mishavina i Bjeshkëve të Kelmendit në Shqipëri, mjalti i bedunicës, djathi i zier i Veleçikut dhe djathi i dhisë nga Bjeshkët e Rrunjës janë katër produkte shqiptare, të certifikuara për cilësi të lartë.
Kjo, sipas Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri, do të jetë një “pasaportë” për tregtimin e tyre jashtë vendit, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin rural dhe do ta përforcojë markën “E prodhuar në Shqipëri”.
“Ndër 40 produkte të identifikuara, këto katër produkte arritën t’i kapin standardet e kërkuara dhe t’i plotësojnë kushtet për certifikim, të cilat janë shumë strikte”, thotë për Radion Evropa e Lirë Armand Kikino, anëtar i Komisionit për skemat e cilësisë në Ministrinë e Bujqësisë.
Katër produktet në fjalë u klasifikuan nga kjo ministri në tri kategori: tregues gjeografik, emërtim i origjinës dhe specialitet tradicional i garantuar.
Për ta arritur këtë, produkti duhet të prodhohet për së paku 30 vjet, të ketë mënyrë të veçantë dhe tradicionale të përpunimit.
Procedura për identifikimin dhe verifikimin e tyre ka vite që ka nisur, thotë Kikino, dhe ato janë të parat në Shqipëri që e kanë kaluar testin.
“Djathi i ziem i Veleçikut”, gatimi shekullor për mysafirë specialë
Djathi i zier, që në origjinal njihet si “djathë i ziem”, është traditë shekullore e Malësisë së Madhe, ku gatuhej kryesisht për të nderuar mikun.
Gjovalin Hasanaj, udhëheqës i Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor “Djathi i Ziem Veleçik”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se si përgatitet dhe ku qëndron e veçanta e këtij produkti:
“Termi ‘i ziem’ është i lidhur me mënyrën specifike të përgatitjes së tij: gatim i veçantë që është trashëguar gojarisht brez pas brezi. Karakteristikat specifike të djathit janë struktura e tij e butë dhe elastike, si edhe shija delikate e pak e athët”.
“Kjo recetë ishte e rezervuar për mysafirë specialë dhe vetëm gratë e shtëpisë dinin ta përgatisnin. Procesi i prodhimit dhe përgatitjes sot ruan traditën, duke respektuar pothuajse të njëjtën metodë që është përdorur brez pas brezi”, thotë Hasanaj.
Referuar traditës shekullore, për këtë djathë përdoret qumësht lope i pazier. Ai lihet në një dërrasë për 2-3 ditë, derisa të thahet. Dikur lihej në diell, ndërsa sot thahet në dhomë të veçantë, ku kontrollohet lagështia dhe temperatura.
Pasi të jetë tharë, thërrmohet gjysma e djathit dhe hidhet në tigan me pak gjalpë derisa të shkrihet, i shtohet ujë dhe miell misri dhe zihet për ca minuta. Më pas shtohet pjesa e djathit të mbetur dhe zihet e gjithë masa për disa minuta të tjera. Ai shërbehet në enë balte dhe shoqërohet me mjaltë.
Hasanaj tregon se “djathi i ziem” është traditë e vjetër e Shqipërisë së Veriut, që sot prodhohet në sasi të kufizuar.
Ky gatim, i certifikuar si specialitet tradicional i garantuar, është ndër specialitetet kryesore të bujtinave në Malësinë e Madhe.
Certifikimi i tillë “është vlerë e shtuar për produktin tonë dhe, në të njëjtën kohë, garanci për konsumatorët”, thotë Hasanaj për Radion Evropa e Lirë.
“Ky ka qenë një proces relativisht i gjatë, sepse së pari duhet të njihesh me kriteret që duhet t’i plotësojë një produkt për t’u certifikuar si specialitet tradicional i garantuar. Bëhet fjalë për produkte që kanë traditë prodhimi të paktën 30 vjet. Ato duhet të kenë karakteristika specifike, që i bëjnë ato të veçanta nga produktet e tjera të së njëjtës kategori, siç mund të jenë përbërësit ose metoda e prodhimit”, shpjegon Hasanaj.
Në punishten e tij artizanale prodhohen edhe lloje të tjera djathërash, si ata me boronicë, me arra, me sherbelë, me borzilok, me piper etj.
“Mjalti i bedunicës” - vështirësi për t’i plotësuar kërkesat, mungon fuqia punëtore
Një tjetër produkt që është certifikuar si specialitet tradicional i garantuar, është mjalti i bedunicës.
Flora Sali, një ndër kultivueset e këtij mjalti në zonën e Përmetit, në jug të Shqipërisë, tregon se të parët e saj kanë qenë bletërritës.
Ajo dhe bashkëshorti nisën të merreshin me bletë 19 vjet më parë, kur blenë 5 koshere, ndërsa sot kanë 150.
“Në fillim nuk e dinim se sa i veçantë dhe sa kurativ ishte ky lloj mjalti nga lulja e bedunicës. Prodhonim sa për konsum familjar dhe u jepnim edhe të afërmve apo miqve. Pastaj, me përfshirjen time në shoqata të bletërritësve, kuptova rëndësinë dhe nisën kërkesa të shumta për këtë mjaltë”, thotë Sali.
“Mjalti i bedunicës ka ngjyrë të verdhë, me refleks në ngjyrë jeshile, është më i trashë nga të tjerët, për shkak të periudhës kur çel lulja - [gusht-shtator] - në një kohë pa lagështi, e thatë. Kjo bën që mjalti të trashet më shpejt, të bëhet si kremoz. Ka shtatë vjet që Ministria [e Bujqësisë], bashkë me një grup tjetër biologësh, kuzhinierësh dhe studiuesish në fusha të tjera, u morën me certifikimin. Mezi e prisja këtë certifikim, si mënyra e vetme e mbrojtjes së këtij mjalti”, thotë 39-vjeçarja Flora Sali.
Ajo pret që certifikimi t’i rrisë mundësitë për bletërritësit e kësaj zone për të përfituar më shumë të ardhura, duke tregtuar mjaltin e bedunicës.
“Unë kam shumë kërkesa për këtë mjaltë dhe nuk i plotësoj dot se nuk ka forcë punëtore, pasi të rinjtë po largohen. Kështu që kjo është një mënyrë e mirë për ta që të punojnë në vendin e tyre. Meqë unë nuk i plotësoj dot, janë bletarë të tjerë që u jepet mundësia ta rrisin numrin e koshereve dhe ta tregtojnë produktin e certifikuar që do të kërkohet gjithnjë e më shumë”, thotë bletërritësja nga fshati Gostivisht i Përmetit.
Eksperti i bujqësisë, Kikino, shprehet i bindur se certifikimi i tillë i produkteve siguron eksportin e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe hap rrugën që ato të regjistrohen në organizatat ndërkombëtare si produkte përfaqësuese të traditës më të mirë shqiptare.
Ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca, ka thënë se në Evropë “duhet të shkojmë edhe me identitetin tonë në fushën e ushqimit”.
Ajo ka bërë të ditur se janë rreth 40 produkte të mundshme për t’u regjistruar dhe certifikuar, por ka thënë se kjo kërkon edhe organizimin e fermerëve në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor.