Ndërlidhjet

Shënimi i Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, pa politikanë


Një shtetas serb mban një ikonë teksa merr pjesë në një ceremoni për shënimin e "Betejës së Kosovës" në një memorial në Gazimestan, Prishtinë, 28 qershor 2022
Një shtetas serb mban një ikonë teksa merr pjesë në një ceremoni për shënimin e "Betejës së Kosovës" në një memorial në Gazimestan, Prishtinë, 28 qershor 2022

Disa qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit morën pjesë në shënimin e Ditës së Shën Vidit (Vidovdan) në Gazimestan, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, ku është i vendosur një monument historik.

Kremta e Ditës së Vidovdanit, nga serbët shënohet për çdo vit, më 28 qershor.

Liturgjinë në Gazimestan e shërbeu patriarku serb Porfirije, por ai nuk iu drejtua të pranishmëve.

Disa prej të tubuarve, përveç flamujve serbë, kanë mbajtur edhe flamuj rusë, si dhe kishin veshur bluza me shenjën Z, e cila është simbol i pushtimit rus të Ukrainës.

Një qytetar serb me bluzë me shkronjën Z, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.
Një qytetar serb me bluzë me shkronjën Z, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët janë kujdesur për sigurinë gjatë tubimit në Gazimestan, i kanë detyruar personat që bartnin bluza të tilla, që t'i largonin ato.

Policia e Kosovës, përmes një deklarate për media, ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit, në pikat kufitare Vërmicë dhe Kullë, në tri raste të ndara ka ndaluar 10 shtetas të Malit të Zi, të nacionalitetit serb.

Siç njofton policia, gjatë kontrollit në bagazhet e automjeteve të tyre janë hasur disa bluza, të dyshuara se mbajnë mbishkrime që nxisin urrejtje. Të gjithë këtyre personave u është refuzuar hyrja në Kosovë.

Ndërkaq, siç njofton Policia e Kosovës, gjatë manifestimit në Gazimestan, një shtetas i Serbisë, është shoqëruar në stacion policor, “pasi i njëjti dyshohet për thirrje dhe nxitje të urrejtjes e përçarjes”.

“Po ashtu, lidhur me rastin, të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës.

Vitin e kaluar, më 28 qershor, shtetasi malazez Risto Jovanoviq u arrestua për “nxitje të urrejtjes dhe mostolerancës kombëtare dhe fetare”. Më 21 korrik të vitit të kaluar ai u dënua me 6.700 euro gjobë dhe u lirua nga paraburgimi, por iu ndalua hyrja në Kosovë për pesë vitet e ardhshme.

Një pjesëmarrës gjatë shënimit të Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, 28 qershor 2022.
Një pjesëmarrës gjatë shënimit të Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, 28 qershor 2022.

Festimi i Ditës së Shën Vidit filloi në mëngjes në manastirin e Graçanicës, ku patriarku serb, Porfirije, shërbeu liturgjinë. Më pas u është drejtuar besimtarëve ortodoks serbë duke u thënë se ata duhet të jetojnë me shqiptarët, se dy popujt janë vëllazërorë “sepse ne jetojmë këtu bashkë me ta”.

“Jam i sigurt se edhe ata e dinë këtë, në rast se besojnë Zotin, një Zot, sepse edhe librat, në të cilat shumica e tyre besojnë, bëjnë thirrje për një gjë të tillë. Bëjnë thirrje dhe përkujtojnë se vetëm në bashkësi mund të jemi në rrugën e Zotit, se ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe se është e rëndësishme që ta kuptojmë këtë vetë”, theksoi patriarku.

Në liturgjinë në Graçanicë morën pjesë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, dhe liderët e Listës Serbe, partisë më të madhe politike të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Megjithatë, ashtu sikurse edhe viteve të kaluara, ata nuk shkuan në Gazimestan.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, kremtojnë 28 qershorin, Ditën e Shën Vidit, si përkujtim të, siç thuhet, vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane në Kosovë, në vitin 1389.

Pikërisht në Gazimestan më 28 qershor 1989, ish-presidenti i Serbisë, e më pas i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, mbajti një fjalim para dhjetëra mijëra serbëve, në të cilin ai nuk përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si një paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën datë në vitin 2001, Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e cila e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006 para vendimit përfundimtar të kësaj gjykate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG