Banorët e rajonit të Gorës, pjesë e komunës së Dragashit, në jug të Kosovës, e kanë festuar të shtunën Ditën e Shën Gjergjit.
Në këtë ditë festohet kthimi i stinës së pranverës dhe ringjallja e natyrës.
Atyre iu kanë bashkuar mijëra banorë të Prizrenit fqinj, dhe fshatrave kufitare të rajonit të Kukësit, në veri të Shqipërisë.
Dita e Shën Gjergjit njihet si festë e rinisë, bukurisë, gëzimit, takimit me të rinj, të cilët shkojnë në vendlindje "nga e gjithë bota", për të vazhduar traditën shekullore dhe për të takuar shoqëruesit e tyre të jetës.
Ata që pëlqehen dhe bashkohen, në verë organizojnë dasma, martohen, e më pas kthehen atje ku jetojnë dhe punojnë.
“Në kohën time ishte pak më ndryshe, por tradita u ruajt. Gëzimi në fytyrat e të rinjve është dëshmia më e mirë për këtë”, ka thënë Misin Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Hoxha, si shumë bashkëqytetarë të tij nga Restelica, një nga 18 fshatrat e Gorës, ka shkuar në nga Italia në Kosovë, për të shënuar këtë ditë.
Ndërkohë vajzat, janë kujdesur për kostumet festive, të cilat ndryshojnë nga fshati në fshat.
Loja e vallëzimet e tyre, janë përcjellë me brohoritje.
Kjo ditë festohet në shumë vende të botës, nga pjesëtarë të komuniteteve e feve të ndryshme.