Një vajzë me prejardhje nga Kosova është në mesin e të vrarëve nga të shtënat në një shkollë në Grac të Austrisë, kanë njoftuar familjarët dhe kreu i komunës së Vitisë.
"Me pikëlloi pa masë lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj Leas nga Komuna e jonë, e cila humbi jetën në sulmin e rëndë që ndodhi sot në qytetin e Grazit në Austri", shkroi në Facebook, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha përmes një njoftimi se "nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010".
MPJD tha po ashtu se sipas të dhënave nga policia austriake nuk ka shtetas të Kosovës në mesin e të plagosurve.
Dhjetë persona u vranë në një shkollë të mesme në Grac të Austrisë, pasi një 21-vjeçar hapi zjarr.
Sulmuesi i dyshuar, ish-nxënës i kësaj shkolle, më pas ka vrarë veten teksa qëndronte në një tualet të kësaj shkolle, thanë autoritetet.
Nëntë viktima ishin konfirmuar menjëherë, por më pas një grua vdiq në spital disa orë më vonë.
Kancelari austriak, Christian Stocker, tha se kjo është një "ditë e errët në historinë e shtetit tonë", teksa shtoi po ashtu se do të shpallen tri ditë zie.
I dyshuari, austriak nga rajoni i Gracit, kishte përdorur një armë të gjatë dhe një pistoletë, thanë zyrtarët policorë gjatë një konference për media më 10 qershor, duke shtuar se ende nuk e dinë motivin e këtij sulmi.
Të dy armët e zjarrit, i dyshuari i kishte me leje, thanë autoritetet.
Nga nëntë viktimat, gjashtë ishin meshkuj dhe tre femra, tha ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.
Autoritetet nuk kanë treguar për moshën e viktimave.
Ndërkaq, familjarët e një nxënësi francez 17-vjeçar kanë konfirmuar për AFP-në se ai është në mesin e të vrarëve.
Disa persona të tjerë po ashtu janë plagosur dhe disa, sipas Karnerit, kanë plagë serioze.
Kryetarja e qytetit të Gracit, Elke Kahr, e përshkroi sulmin si “tragjedi e tmerrshme”.
Policia austriake tha më herët se beson se sulmuesi veproi i vetëm.
Të shtënat në gjimnazin BORG Dreierschützengasse ishin raportuar në orën 10:00 të mëngjesit dhe pas kësaj edhe forcat speciale ishin dërguar në vendngjarje.
Rreth një orë më vonë, policia njoftoi në rrjetin social X se të gjithë janë evakuuar nga shkolla dhe janë dërguar në vend të sigurt.
Policia shtoi se situata është “nën kontroll” dhe se nuk ka më rrezik.
Ngjarja në Grac është dënuar nga udhëheqësit kryesorë evropianë.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “shkollat janë simbol i rinisë, shpresës dhe të ardhmes”, duke shtuar se është e rëndë kur “shkollat bëhen vende të vdekjes dhe dhunës”.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Friedrich Merz, po ashtu kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj tha se shkollat duhet të jenë vend ku “fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit”.
Graci, qyteti i dytë më i madh i Austrisë, ndodhet në juglindje të vendit dhe ka rreth 300.000 banorë.