Ndërlidhjet

Disa të lënduar teksa protestuesit antiqeveritarë përplasen me policinë në Shqipëri

Policia përdor topa uji kundër demonstruesve antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.
Policia përdor topa uji kundër demonstruesve antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.

Disa protestues dhe oficerë policie janë lënduar gjatë një proteste të dhunshme antiqeveritare paraditen e së enjtes pranë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë në kryeqytetin shqiptar.

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë tha se dy qendrat kryesore spitalore në Tiranë janë paraqitur 17 persona, mes tyre gjashtë punonjës policie dhe 11 protestues. Sipas ministrisë, tre protestues po trajtohen në shërbimin e Toksikologjisë.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit pretenduan se uji i hedhur nga policia përmbante një lëndë me ngjyrë bojëqielli, e cila u shkaktoi djegie në lëkurë dhe sy.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se Policia e Shtetit në ujin e hedhur drejt protestuesve ka përdorur lëndë të llojit RSG8 TE1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, të cilat i cilësoi si “lëndë speciale irrituese profesionale” për vetëmbrojtje dhe neutralizimin e personave të dhunshëm.

Sipas tij, këto produkte janë të certifikuara nga kompanitë prodhuese dhe përdoren edhe nga autoritetet ligjzbatuese në vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Policia e Shtetit nuk ka publikuar kriteret sipas të cilave autorizohet përdorimi gjatë protestave, apo raportin mbi përdorimin e tyre në këtë rast.

Policia vendosi një perimetër të zgjeruar sigurie rreth Kuvendit, pasi prej ditësh protestuesit kishin paralajmëruar për mbajtjen e tubimit për të enjten.

Pjesa më e madhe e deputetëve hynë në Kuvend nga hyrja anësore, ku u përballën me thirrjet e protestuesve “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria”, “Shqipëria kërkon revolucion”.

Demonstruesit mbajnë një pengesë ndërsa përleshen me policinë gjatë një demonstrate kundër qeverisë, në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.
Demonstruesit mbajnë një pengesë ndërsa përleshen me policinë gjatë një demonstrate kundër qeverisë, në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.

Protestat në Shqipëri, të quajtura “Revolucioni i Flamingove”, janë në ditën e 54-të.

Ato nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës.

Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.

Gjendja para Kuvendit të enjten u tensionua kur protestuesit nisën të hedhin vezë dhe domate.

Disa protestues arritën ta heqin një pjesë të gardhit metalik dhe u përplasën me oficerët e policisë. Policia përdori ujë me presion dhe sprej me piper për t’i shpërndarë protestuesit.

Policia përdor një top uji gjatë një demonstrate antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.
Policia përdor një top uji gjatë një demonstrate antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.

Gjithashtu disa protestues tentuan të bllokojnë edhe qarkullimin e automjeteve në rrugën pranë Kuvendit duke ju bërë thirrje drejtuesve të mjeteve t’i bashkohen protestës. Policia ndërhyri për të shmangur bllokimin e rrugës.

Rreth 20 protestues janë shoqëruar në polici. Aktivistë të shoqërisë civile thanë se në mesin e tyre ishte edhe një gazetare, e cila po raportonte nga protesta. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi duke theksuar se "shoqërimi i një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një ndërhyrje serioze në lirinë e medias dhe krijon një precedent të papranueshëm për raportimin e ngjarjeve me interes publik". Disa orë më vonë, gazetarja u lirua.

Debati brenda Kuvendit

Derisa protesta po zhvillohej pranë Kuvendit, brenda tij po mbahej seanca e radhës që ka 34 çështje në rendin e ditës.

Opozita e akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

“Ministri [i Brendshëm] duhet të japë shpjegime për substancat që po përdoren kundër tyre, të pazakonta, që po ju shkaktojnë djegie trupi qytetarëve”, tha deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj.

Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan gjithashtu sqarime për substancat që u përdorën, të cilat i cilësuan “të pazakonta”.

Këtyre pretendimeve iu përgjigj ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari: “Janë të certifikuara nga kompanitë prodhuese dhe përdoren nga BE dhe SHBA”.

Debati lidhet me disa imazhe të publikuara nga protestuesit, që tregojnë se uji i hedhur nga policia në drejtim të tyre mban një ngjyrë bojëqielli dhe se, sipas disa prej tyre, shkakton djegie në trup.

Qeveria dhe përfaqësues të shumicës kanë pretenduar qysh në nisje të protestave se pas tyre fshihen edhe interesa dhe ndikime të lidhura me Iranin.

Taulant Balla, kreu i grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, në seancën e së enjtes i quajti “terroristë” disa prej protestuesve dhe përsëriti pretendimet për lidhje me Iranin.

“Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio në konferencën ndërkombëtare kundër terrorizmit një javë më parë tha se ka disa lëvizje të ekstremit që mund të kërcënojnë stabilitetin në Evropë. Persona të identifikuar prej nesh, me lidhje të qarta me Gardën Revolucionare të Iranit janë orkestruesit kryesorë të dhunës në protestë”, tha Balla.

Organizatorët e protestës i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, tha se shpërndarja e Kuvendit është i vetmi akt që duhet të marrin deputetët.

Opozita i bëri thirrje Qeverisë që të diskutohen në Kuvend të gjitha kërkesat e protestuesve dhe të krijohet një grup pune për katër ligjet, që protestuesit kërkojnë të anulohen.

Ata kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, Ligjit për Investimet Strategjike, Paketës së Maleve si dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.

Në rendin e ditës së seancës parlamentare ishte miratimi i rezolutave për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjashtë institucioneve të tjera të pavarura.

Gjatë seancës pati debate dhe tensione.

Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, ndërsa shumica vendosi të mos zhvillonte diskutime dhe të kalonte menjëherë në votim.

Vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste u miratuan rezolutat për vlerësimin e punës së SPAK-ut dhe gjashtë institucioneve të tjera.

Gjithashtu, shumica miratoi aktin normativ për financimin me rreth 4 milionë euro të koncertit të këngëtarit amerikan Kanye West. Pas përfundimit të seancës, protestuesit u zhvendosën pranë komisariateve ku mbahen disa nga të shoqëruarit gjatë protestës.


XS
SM
MD
LG