Ndërlidhjet

Diplomatja amerikane i ofron përkrahje Kievit për ta luftuar korrupsionin


Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Uzra Zeya.
Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Uzra Zeya.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Uzra Zeya, u zotua gjatë një vizite në Kiev se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën në përpjekjet e saj për ta luftuar korrupsionin dhe nënvizoi “përkrahjen e palëkundur amerikane” për Kievin kundër luftës agresore të Rusisë.

"Mesazhi ynë, pas vizitave nga administratorja Poëer dhe sekretari Blinken në javët e fundit, është i thjeshtë: mbështetja e SHBA-së është e palëkundur përballë luftës së paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës", tha ajo në një intervistë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 18 tetor, duke iu referuar drejtueses së USAID-it, Samantha Power, dhe sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Zeya, nënsekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, theksoi se "ofrimi i mbështetjes që i nevojitet Ukrainës për të fituar është prioritet i lartë për Shtetet e Bashkuara".

Ajo tha se ndër pikat kryesore që theksoi gjatë takimeve të saj me liderët në Kiev ishte mbështetja e SHBA-së për të ndihmuar "Ukrainën ta fitojë luftën, ta fitojë paqen dhe ta fitojë të ardhmen duke forcuar qëndrueshmërinë e saj demokratike".

Para vizitës së saj, Departamenti i Shtetit deklaroi se Zeya do të theksonte "vazhdimin e partneritetit për reformat kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit".

Presidenti Volodymyr Zelensky dhe liderët e tjerë ukrainas kanë kërkuar ndihmë shtesë ushtarake nga aleatët e Ukrainës dhe gjithashtu leje për t’i përdorur armët perëndimore për t’i sulmuar bazat brenda territorit të Rusisë. Uashingtoni dhe vende të tjera ngurrojnë t’ia japin një leje të tillë Ukrainës, për shkak të frikës së përshkallëzimit të konfliktit.

Derisa e ndihmojnë Ukrainën, partnerët perëndimorë gjithashtu kanë kërkuar nga Kievi të bëjë përparime në luftën kundër korrupsionit të përhapur në vend, për të — siç theksoi Zeya gjatë vizitës — ndihmuar në "sigurimin e një integrimi të plotë të Ukrainës në Evropë".

"Shtetet e Bashkuara mbështesin me krenari përparimet e jashtëzakonshme të Ukrainës në luftën kundër korrupsionit, nga reformimi i mbikëqyrjes së krimeve financiare dhe rritja e numrit të gjyqtarëve kundër korrupsionit, deri te dyfishimi i aktakuzave dhe dënimeve gjatë 16 muajve të fundit", tha ajo.

Transparency International e renditi Ukrainën në vendin e 104-të nga 180 vende në indeksin e saj më të fundit.

Në raportin e saj për vitin 2023, kjo organizatë theksoi se "në të gjithë rajonin, shumë qeveri kontrollojnë gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit për të ruajtur pandëshkueshmërinë për korrupsionin brenda rrethit të tyre të privilegjuar".

"Për vendet në Ballkanin Perëndimor, këto praktika të vazhdueshme pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E njëjta gjë vlen edhe për Moldavinë e Ukrainën, edhe pse këto vende po bëjnë reforma të mëdha në sistemet e tyre të drejtësisë", tha Transparency International.

Zeya gjithashtu u zotua se Uashingtoni do ta vazhdojë mbështetjen për "miliona ukrainas të zhvendosur, përfshirë ata brenda Ukrainës dhe në rajon", të cilët janë goditur rëndë nga pushtimi rus.

Diplomatja amerikane ka planifikuar të vizitojë Poloninë dhe Britaninë pas Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG