Ndërlidhjet

Lajçak: Shtensionimi dhe normalizimi më urgjent se kurrë


Pesëshja diplomatike perëndimore që u prit në Prishtinë nga kryeministri i Kosovsë, Albin Kurti.
Pesëshja diplomatike perëndimore që u prit në Prishtinë nga kryeministri i Kosovsë, Albin Kurti.
Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit që të normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë. Lajçak deklaroi në Prishtinë se me katër diplomatët e tjerë kanë dalë një plan, dhe të njëjtin do ta paraqesin edhe gjatë takimit me presidentin serb në Beograd.
Në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Lajçak përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht. I dërguari i BE-së tha gjithashtu se vendet perëndimore e dënojnë ashpër këtë sulm dhe shtoi se pritet bashkëpunimi i plotë i Serbisë në këtë çështje.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me Lajçakun dhe katër diplomatët e tjerë perëndimorë se për Kosovën, çështja më urgjente është siguria e shtetit dhe qytetarëve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pati një takim "të vështirë", por që beson se në periudhën e ardhshme “ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë”.

Çfarë tha Lajçak në Prishtinë ?

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Lajçak, pas takimit me Kurtin tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Bilanci i 24 shtatorit - Çfarë ndodhi në Banjskë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, paralajmëroi Lajçak.

Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.

“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.

Çfarë tha Kurti?

Kurti theksoi, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me dialogun, kryeministri kosovar theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.

"Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht", thuhet në njoftim.

Çfarë u tha në Beograd?

Pas vizitës në Prishtinë, diplomatët udhëtuan drejt Beogradit, ku u takuan me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pasditen e së shtunës.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Lajçak përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht. I dërguari i BE-së tha gjithashtu se pritet bashkëpunimi i plotë i Serbisë në këtë çështje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takimin e cilësoj "të vështirë".

"Besoj se në periudhën e ardhshme ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim", tha Vuçiq në një shkrim në rrjetin social Instagram, pas takimit.

Para takimeve, burimet diplomatike në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel. Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.

Çfarë ndodhi në Banjskë?

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiqit dhe fajëson Serbinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Kosova po ashtu kërkon që Bashkimi Evropian të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe Parlamenti Evropian përmes një rezolute të votuar më 19 tetor, ku thuhet nëse gjendjet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin, Beogradi duhet të ndëshkohet.

BE-ja më herët ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve dhe më mund të ndërmerren hapa dhe masa eventuale.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 14 shtator, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG