Ndërlidhjet

Diplomacia e Kosovës nën hijen e emërimeve politike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Shërbimi i jashtëm i Kosovës ose përfaqësuesit diplomatikë të saj, konsiderohet se janë fytyra e vendit e cila përfaqësohet në botë. Prandaj, mungesa e kuadrove profesioniste në këtë shërbim, reflekton negativisht imazhin e vendit dhe statusin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, vlerësojnë njohës të fushës së diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për më shumë, ata thonë se shërbimi i jashtëm i Kosovës, aktualisht mund të përshkruhet si i ngarkuar tej mase me kuadër politik me mungesë të theksuar të kuadrit profesionist apo të diplomatëve të karrierës.

Ish- ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga viti 2015, në shërbimin e jashtëm të Kosovës është shënuar rënie e vazhdueshme e kuadrit profesionist dhe ngritje të madhe të kuadrit politik.

“Kjo pasqyrohet në mënyrën më të qartë në numrin e ambasadorëve të karrierës aktualisht. Nga gjithsej 25 shefa të misioneve, janë vetëm tre ambasadorë karriere, pra që kanë gradën ambasador dhe katër të tjerë që nuk kanë gradën ambasador, por janë zyrtarë të Ministrisë së Jashtme. Ndërsa, të gjithë të tjerët janë persona të lidhur me partitë politike dhe liderët politikë”, thekson Kiçmari.

Ai shton se në këtë mënyrë, tek emërimet e ambasadorëve, është shkelur ligji, i cili në mënyrë precize e përcakton që, të paktën, 50 për qind të shefave të misioneve, duhet të jenë zyrtarë nga Ministria e Jashtme, përkatësisht ambasadorë karriere.

Ngjashëm, sipas tij është situata edhe lidhur me stafin tjetër diplomatik që dërgohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Siç thotë Kiçmari, Ministria e Jashtme aktuale e Qeverisë së Kosovës, ka dërguar në misione diplomatike kuadro të afërta me partitë politike, e që sipas tij, nuk kanë përvojë dhe nuk i janë nënshtruar procedurave normale, e sidomos përgatitjes profesionale.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që pavarësisht se ligji lejon që 50 për qind e shërbimit të jashtëm të jetë i përbërë nga elementë politikë, ky shërbim është i stërngarkuar, përtej kësaj përqindjeje, me staf politik. Sipas tij, situata në shërbimin e jashtëm të Kosovës është krejtësisht e ngjashme me situatën dhe raportet brenda administratës publike në vend.

“Mendoj që vërtetë është për çdo kritikë logjika mbi të cilën është ndërtuar ky shërbim, madje duke mos bërë fare përjashtime se cilat parti ose cili subjekt politik ka qeverisur në vend. Mendoj që është për keqardhje logjika e cila e ka përshkruar shërbimin tonë të jashtëm, që nga themelimi e deri më sot. Si rrjedhojë, kemi një brishtësi të jashtëzakonshme, një shërbim të jashtëm vërtetë të pakonsoliduar, një shërbim të jashtëm, i cili më shumë se objektivi për t’i shërbyer vendit, në kontekstin e jashtëm, ka shërbyer vetëm si vend ku janë akomoduar militantë të ndryshëm politik”, thekson Hoti.

Ai shton se efektet e kësaj qasjeje në shërbimin e jashtëm të Kosovës ka krijuar dhe krijon efekte negative. Efekti i parë negativ, siç thotë ai, është barra e ngarkesës, sipas tij, e jashtëzakonshme që i është bërë taksapaguesve të Kosovës, për shkak se shërbimi i jashtëm është mjaft i kushtueshëm. Efekti i dytë, thotë profesor Hoti, është mungesa e sukseseve të shërbimit të jashtëm, me përjashtime të rralla të individëve të caktuar.

“Më shumë se sa objektivave të përcaktuara për shërbimin e jashtëm, këta militantë u janë përgjigjur shefave ose eprorëve të tyre politikë në Prishtinë dhe misioni i tyre për të shërbyer për vendin, jashtë, ka qenë thuajse krejtësisht i hijezuar. Efekti i tretë është situata dhe skandalet e njëpasnjëshme që kanë përshkruar shërbimin tonë të jashtëm, që për më shumë, jo vetëm se kanë krijuar imazh të keq brenda për brenda Kosovës, por kanë krijuar shpesh edhe situata qesharake para faktorit ndërkombëtar”, thotë Hoti.

Ndërkaq, ish-ambasadori Kiçmari thekson që efektet e politizimit të shërbimit të jashtëm të Kosovës, janë të dukshme. Sipas tij, nuk bëhet fjalë më për njohje të reja, por për tërheqje njohjesh, si dhe nuk flitet më për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por për dështim të tentimeve. Për më shumë, siç ka përkujtuar ai, përfaqësues diplomatikë në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen dhe kanë kritikuar autoritetet e Kosovës, për emërimet në shërbimin e jashtëm të personave politikë dhe të atyre që kanë probleme me ligjin.

“Në asnjë mënyrë, kuadrot përfaqësuese të Republikës së Kosovës nuk duhet të jenë person që kanë të kaluar, të themi, problematike në rrafshin ligjor, duke pasur parasysh faktin që ata flasin në emër të Republikës, i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat tona. Shtetet me traditë dhe kulturë demokratike përcaktohen për kuadrot me integritetin më të lartë moral, politik dhe njerëzor”, shprehet Kiçmari.

Sipas tij, për Kosovën është e rëndësisë së veçantë që institucionet të investojnë në përgatitjen profesionale të kuadrove për shërbimin e jashtëm.

Ditë më parë, emërimi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e një konsulleje në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, ka nxitur reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett. Përmes rrjetit social Twitter, ambasadori Kosnett kishte vënë në dyshim nëse Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ka ndjekur procedurat me konkurrencë dhe me meritë për emërimin që kishte bërë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG