Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, synon që të zhvillojë shumë shpejt rrethin e parë të bisedimeve, ndoshta edhe këtë muaj, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme.
Lajçak foli të martën para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Komitetin për Politikë dhe Siguri, në Bruksel.
Për qëllimet e tij, thonë burimet diplomatike, ai e ka marrë mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Vetë Lajçak shkroi në Twitter:
“Mirënjohës për mbështetjen e fortë që mora nga 27 shtetet anëtare të BE-së sot! Diskutim shumë inkurajues për mandatin tim dhe rrugën përpara”.
Lajçak tha se do të kontaktojë edhe me Qeverinë e re të Kosovës, sapo të formohet, në mënyrë që të përgatitet takimi që do të shënonte edhe rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancën për formimin e qeverisë së re të mërkurën, më 3 qershor.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se Lajçak, në disa raste, ka përsëritur në takimin e sotëm se ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve nuk mund të jenë rezultat i dialogut.
Kjo ide është shpërfaqur si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve nga vetë presidentët e Kosovës dhe Serbisë, por ka hasur në reagime për dhe kundër.
Në takimin e së martës në Bruksel, shumica e shteteve anëtare të BE-së raportohet se janë shprehur kundër.
Javën e kaluar, edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se idetë e tilla nuk kanë mbështetje dhe se BE-ja do të preferonte që të mbahet gjendja e tanishme e kufijve.
Burimet diplomatike thonë se në takimin e sotëm në Bruksel është kritikuar edhe qasja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj emërimit të Lajçakut në postin e përfaqësuesit të posaçëm, e sidomos deklaratat e tij se ai nuk do të marrë pjesë në dialogun që udhëhiqet nga Lajçaku.
Thaçi në disa raste ka insistuar në rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në dialog.
Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Përfaqësues të posaçëm në dialog tani ka edhe SHBA-ja: diplomatin Richard Grenell.