Ndërlidhjet

Forcat e fshehura që nxisin dhunë sektare në Pakistan


Pakistanezët në Kurram duke protestuar kundër sulmeve ndaj myslimanëve shiitë. 7 nëntor 2024.
Pakistanezët në Kurram duke protestuar kundër sulmeve ndaj myslimanëve shiitë. 7 nëntor 2024.

Pjesa veriperëndimore e Pakistanit është prej dekadash skenë e dhunës së kohëpaskohshme sektare.

Në shpërthimin e fundit nga 21 deri më 23 nëntor, u vranë mbi 80 njerëz në rrethin Kurram të provincës Khiber Pakhtunkva.

Dhuna shpërtheu kur persona të armatosur sulmuan një kolonë të myslimanëve shiitë.

Incidenti vdekjeprurës shkaktoi pastaj sulme hakmarrëse ndaj komunitetit mysliman sunit.

Palët njoftuan se kanë arritur një armëpushim shtatëditësh më 24 nëntor.

Historia e trazuar

Pakistani është vend me shumicë sunite. Por, Kurrami - një zonë malore në kufi me Afganistanin - ka popullsi të madhe shiite.

Përleshjet me dekada - shumë shpesh për tokën - kanë lënë të vdekur mijëra njerëz në Kurram. Mbi 200 njerëz janë vrarë vetëm që nga korriku e këndej.

Pjesa veriperëndimore e Pakistanit është vatër e militantëve prej kohësh.

Ekspertët thonë se shfaqja e grupeve të armatosura sunite dhe shiite në këtë rajon, i ka rritur edhe më shumë tensionet sektare.

“Rritja e grupeve militante nga sektet rivale e ka shndërruar Kurramin në një fushëbetejë për dominim sektar”, thotë Ihsanullah Tipu Mehsud, drejtor i lajmeve në Ditarin Khorasan, një ueb-faqe që gjurmon grupet militante në Afganistan dhe Pakistan.

Shiitët thonë se grupet ekstremiste sunite - përfshirë Tehrik-e Taliban Pakistanin (TTP), Shtetin Islamik-Khorasan dhe Lashkar-e Jhangvin - po përpiqen t’i zhdukin ose t’i dëbojnë ata nga Kurrami.

Shumë prej grupeve i kanë në shënjestër shiitët, të cilët i shohin si femohues.

Në një prej valëve më të këqija të dhunës në Kurram u vranë rreth 2.000 njerëz, kryesisht shiitë. Kjo ndodhi në periudhën 2007-2011 kur grupi Tehrik-e Taliban Pakistani, i njohur edhe si talibanët pakistanezë, u përpoq ta pushtonte rrethin.

Për dhunën në Kurram, komuniteti sunit fajëson Brigadën Zainebiyoun, një milici shiite e përbërë nga pakistanezë që luftuan në Siri.

Grupi përfshin shiitë nga Kurrami - disa prej të cilëve u kthyen në shtëpitë e tyre viteve të fundit.

Margjinalizimi politik

Ekspertët thonë se dhunën vdekjeprurëse sektare në Kurram e shkaktojnë edhe qeverisja e dobët dhe margjinalizimi politik.

Rajonet kufitare të Pakistanit - përfshirë Khiber Pakhtunkvën - kanë qenë skena të ofensivave të ndryshme ushtarake kundër kryengritjeve islamiste dhe separatiste dhe ushtria është akuzuar shpesh për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut.

Qeveria federale në Islamabad dhe ushtria e fuqishme, e cila ka rol të madh në punët e brendshme dhe të jashtme, kanë dëmtuar gjithashtu normat dhe institucionet demokratike.

Në vitin 2019, Islamabadi miratoi një ligj që u jepte forcave të sigurisë në Khiber Pakhtunkva kompetenca gjithëpërfshirëse, përfshirë ndalimin e të dyshuarve për një kohë të pacaktuar ose pa akuzë.

Syed Irfan Ashraf, pedagog universitar në qytetin veriperëndimor të Peshauarit, thotë se ushtria e Pakistanit është përpjekur të zbatojë një “model të qeverisjes autoritare” në Khiber Pakhtunkva.

“Ky model qeverisjeje ka një kosto të madhe tani”, thotë ai.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG