Pavarësisht se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë nënshkruar, për Shtetet e Bashkuara, Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, tha këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Chollet i bëri këto deklarata në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku u diskutua për politikën e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, deklaroi Chollet.
Chollet, gjatë fjalës hyrëse tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ato paraqesin sfidën kryesore në këtë rajon. Chollet përsëriti se rruga evropiane e të dyja shteteve nuk mund të ndodhë, nëse ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet vete.
Marrëveshja drejt normalizimit, sipas Chollet, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se SHBA-ja vazhdon t'i inkurajojë palët që t'i zbatojnë zotimet e tyre.
Zyrtari i lartë i DASH-it tha se SHBA-ja inkurajon liderët e Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes, pasi tha se ata duhet të kenë kurajë që të “ndërmarrin rreziqe” që të shtyjnë përpara këtë proces.
Gjatë senacës, senatori Chris Murpy pyeti këshilltarin Chollet për shembujt evropianë, që mund të përdoren nga Kosova si model për themelimin e Asociacionit dhe se si ai nuk do të shndërrohej në një Republikë Sërpska.
“Sipas pikëpamjes sonë, Asociacioni bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të marrin shërbime të barabarta dhe t’iu dëgjohet zëri. Ideja është që serbët në veri të Kosovës të jenë më pak të varur nga Beogradi dhe [Asociacioni] të fokusohet në edukim, shëndetësi dhe zhvillim lokal ekonomik, e gjëra të ngjashme. Kemi qenë shumë të qartë, ne nuk do të pranojmë e as mbështesim diçka që sadopak do t’i ngjasonte Republikës Sërpska. Siç thatë, BE-ja ka dhjetëra shembuj brenda BE-së struktura të ngjashme me Asociacionin, si në veri të Italisë, në Zvicër, në Finlandë, ku ka minoritete, ku ka një lloj shkalle të kontrollit lokal mbi pjesë të jetës së tyre”, tha Chollet.
Në këtë seancë mori pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Senatori amerikan: S’ka garanci që Asociacioni nuk do të jetë një Republika Sërpska
Ndërkaq, kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo të gjitha palët po dialogojnë në mirëbesim.
Menendez tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht është deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Ai shtoi se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, teksa shtoi se Vuçiq po vazhdon të përqafojë narrativë nacionalistë.
"Pas arritjes së Marrëveshjes, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbajti një fjalim publik duke mos u pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes dhe refuzoi ta nënshkruante atë pasi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo është pjesë e sjelljes së Vuçiqit, që thotë një gjë para liderëve perëndimorë dhe thotë diçka tjetër për popullin serb, përmes mediave të kontrolluara nga shteti. Duke kontrolluar sferën e informacionit dhe duke shtypur shoqërinë civile, Vuçiq vazhdon të përqafojë narrativët nacionalistë që pasqyrojnë idenë e ‘Serbisë së Madhe’, që është e ngjashme me vizionin e [presidentit rus, Vladimir] Putin për ‘Rusinë e Madhe’”, tha senatori Menendez.
Ai foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe rrezikun e krijimit të një Republike Sërpska.
“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.
Escobar: Nuk duam një Republika Sërpska të re
Por, Escobar tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Asociacioni të jetë një lloj Republike Sërpska.
Ai tha se SHBA-ja dëshiron që Kosova të marrë për bazë ndonjë model evropian “që nuk shkel sovranitetin, funksionalitetin apo strukturën kushtetuese” të shtetit.
“Ne duam të shohim që Asociacioni të vendoset nën strukturën kosovare, që ata ta kontrollojnë atë”, deklaroi Escobar. Ai tha se BE-ja veçse ka ofruar disa modele të tilla, që nuk e shkelin kushtetutshmërinë e shteteve.
Escobar tha se pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e njohin Kosovën, presin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë. Ai tha se nga Kosova presin që të zbatojnë Asociacionin.
"Nga pala kosovare, njerëzit po presin zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mund të shmanget Asociacioni që Kosova të lëvizë drejt integrimit evropian", tha Escobar.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor po ashtu tha se arritja e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një "hap i madh".
“Siç e tha edhe Chollet, një pengesë e madhe për arritjen e paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor janë raportet e pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi për zbatimin e saj ishin hapa të mëdhenj për arritjen e paqes dhe parashikueshmërisë së raporteve mes dy shteteve”, theksoi Escobar.
Një ditë para paraqitjes së tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Chollet zhvilloi biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Me të dy zyrtarët, Chollet bisedoi për dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërsa porositi palët që të vazhdohet puna e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe duke kërkuar nga palët që t'i shmangin provokimet.
Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011. Ky proces, që gëzon mbështetjen e SHBA-së, synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.
Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të raporteve dhe më 18 mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Asociacioni është prioritet, teksa Escobar ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të nisë me Asociacionin.
Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, që u mbajt më 2 maj, Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit, ka paraqitur para palëve draftin e parë të statutit për themelimin e Asociacionit.
Ky draft është refuzuar nga pala kosovare.
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.
*Video nga arkivi: Sa herë u shkel Marrëveshja e Ohrit?
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore.