Sulmet ajrore vdekjeprurëse të Izraelit në qytetin Rafah në Rripin e Gazës të dielën, kanë nxitur reagime të ashpra nga liderët botërorë, të cilët bënë thirrje për zbatimin e urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndaljen e sulmeve.
Punëtorët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 45 njerëz u vranë të dielën nga sulmet ajrore izraelite në qytetin jugor Rafah.
Në mesin e të vrarëve kishte edhe të zhvendosur që po jetonin në tenda, të cilat u përfshinë nga zjarri.
Kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit janë duke u rritur për luftën e tij kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Madje, edhe aleatët më të ngushtë, përfshirë SHBA-në, kanë shprehur zemërim për shkak të vrasjes së civilëve.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, thanë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të respektohet.
"Ligji ndërkombëtar vlen për të gjithë, edhe për mënyrën se si po e zhvillon luftën Izraeli, gjithashtu", tha Baerbock.
Izraeli ka thënë se po i heton vdekjet e civilëve, dhe se me sulmet e së dielës e goditi një pikë të Hamasit dhe se vrau dy pjesëtarë të lartë të grupit radikal.
Sulmet e së dielës, ndër më vdekjeprurëset në Gazë, bëri që numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë gjatë luftës mbi shtatë muajsh në Gazë të arrijë mbi 36.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Kjo Ministri tha se rreth gjysma e të vrarëve janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Franca, një aleat i ngushtë evropian i Izraelit, tha se është e “indinjuar” me dhunën.
“Këto operacione duhet të ndalen patjetër. Nuk ka zona të sigura në Rafah për civilët palestinezë. Bëj thirrje që ligji ndërkombëtar të respektohet plotësisht dhe ketë armëpushim të menjëhershëm”, shkroi presidenti francez, Emmanuel Macron, në rrjetin social X.
Në Rafah, qytetin jugor të Gazës në kufi me Egjiptin, janë strehuar më shumë se një milion njerëz – rreth gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës – pasi janë zhvendosur nga pjesë të tjera të enklavës.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka thënë se bombardimet si ai në Rafah do të kenë pasoja afatgjate për Izraelin.
“Izraeli, me këtë zgjedhje, po përhap urrejtje, urrejtje e rrënjosur që do t’i përfshijë fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre. Unë do të parapëlqeja tjetër vendim”, tha ai për SKY TG24.
Katari, një ndërmjetës i rëndësishëm mes Izraelit dhe Hamasit në bisedimet për të arritur marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi, tha se sulmi do t’i “koklavit” bisedimet. Bisedimet kanë dështuar vazhdimisht për shkak të kërkesave të Hamasit për armëpushim afatgjatë dhe për tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, të cilat Izraeli i ka hedhur poshtë publikisht.
Vendet fqinje, Egjipti dhe Jordania, të cilat kanë bërë marrëveshje paqeje me Izraelin dekada më parë, e dënuan sulmin në Rafah gjithashtu.
Ministria e Jashtme e Egjiptit e përshkroi sulmin si “shkelje të re dhe flagrante të ligjit ndërkombëtar”. Ministria e Jashtme e Jordanisë e quajti atë “krim lufte”.
Sulmi i së dielës ndodhi dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka urdhëruar Izraelin për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës është strehuar, para se të niste ofensiva izraelite aty, më herët gjatë këtij muaji.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.