Ndërlidhjet

DASH: Takimi i Dodikut me Putinin, veprim shkurtpamës


Presidenti rus, Vladimir Putin, merr pjesë në një takim me udhëheqësin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, në Moskë, Rusi, 23 maj 2023.
Presidenti rus, Vladimir Putin, merr pjesë në një takim me udhëheqësin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, në Moskë, Rusi, 23 maj 2023.

Departamenti amerikan i Shtetit, duke komentuar takimin e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se vendimi i Dodikut për t'u takuar me Putinin, "në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm i Dodikut për të dekoruar Putinin, janë lëvizje shkurtpamëse që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska”.

"Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme", tha zëdhënësi i Departamenti i Shtetit.

Dodik tha në Moskë të martën se Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, antiperëndimore dhe antiamerikane.

Përderisa agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon, Dodik gjatë takimit me Putinin theksoi se Republika Sërpska u është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë.

“Ne nuk kemi lejuar që të merret një vendim zyrtar sa i përket sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe për shkak të kësaj ne u jemi ekspozuar formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi zgjedhur që të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik.

Pas takimit me Putinin, Dodik i quajti "armiqësore" vendet që vendosin sanksione ndaj Rusisë. Së bashku me akuzat dhe retorikën e ashpër ndaj Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë, ai e quajti ambasadorin Michael Murphy "antiserb".

Dodik pohoi se qëllimi i ambasadorit amerikan është "të shkatërrojë Republikën Sërpska deri në fund të mandatit të tij", ndërsa ambasadori Murphy ka thënë qartë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë dashur ta shfuqizojnë Republikën Sërpska, por korrupsionin.

Murphy paralajmëroi më parë se Dodiku, me paturpësi, po sulmon gjithnjë e më shumë stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës me retorikë nacionaliste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG