Ndërlidhjet

“Dardanët” sigurojnë plejofin e Kupës së Botës 2026


Fotografi nga përballja e ekipit kombëtar të Kosovës në futboll kundër Suedisë, në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, më 8 shtator 2025.
Fotografi nga përballja e ekipit kombëtar të Kosovës në futboll kundër Suedisë, në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, më 8 shtator 2025.

Me një fitore 2:0 në Lubjanë të Sllovenisë, Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shkruar historinë duke siguruar për herë të parë plejofin për kualifikim në Kupën e Botës.

Aktualisht me 10 pikë, Kosova radhitet e dyta në Grupin B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 - prapa Zvicrës që numëron 13 pikë, pas fitores së sotshme kundër Suedisë me rezultat 4:1.

Ndeshja e sotshme kishte peshë të madhe për “Dardanët” pasi që një pikë u mjaftonte për ta siguruar një vend në play-off-in e kualifikimeve.

Megjithatë, me anë të golit të shënuar nga Fisnik Asllani në minutën e gjashtë dhe autogolit të Zan Karnicikut në minutën e 64-tës, Kosova siguroi edhe fitoren e tretë në këtë kampanjë nga gjithsej pesë ndeshje të zhvilluara.

Kështu, skuadra e drejtuar nga trajneri Franco Foda tani është një hap më afër ëndrrës për debutim në Kupën e Botës, që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fituesit e grupit kalojnë direkt në Kupën e Botës 2026, ndërsa vendi i dytë siguron pjesëmarrjen në play-off-in e UEFA-s.

Ndeshjen e fundit të këtij grupi, Kosova do ta luajë kundër Zvicrës në "Fadil Vokrri" më 18 nëntor. Por, për ta arritur vendin e parë, aty Kosova do të duhej të siguronte fitore me 12 gola epërsi.

Kështu, shansat më të mira për kualifkim historik në Kupën e Botës 2026, Kosova i ka përmes fazës së plejofit.

Tashmë një vend në plejof për Kupën e Botës 2026 e ka siguruar edhe Kombëtarja e Shqipërisë, që aktualisht ka vendin e dytë në grupin K, prapa Anglisë.

Sllovenia erdhi e dobësuar për këtë përballje: sulmuesi i tyre kryesor, Benjamin Sesko, mungoi për shkak të një dëmtimi në gju.

Për më tepër, prej minutës së 53-të të ndeshjes, Sllovenia luajti me një lojtar më pak në fushë pasi që Petar Stojanovic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Pas nisjes së vështirë në këtë kampanjë me humbjen 4:0 ndaj Zvicrës, Dardanët reaguan me fitore kundër Suedisë, barazuan pa gola me Slloveninë dhe më pas mundën sërish suedezët 1:0 në takimin e kthimit.

Kosova ka pësuar vetëm një humbje në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke fituar shtatë prej tyre.

Në dy kampanjat e kaluara kualfikuese për Kupat e Botës 2018 dhe 2022, verdhekaltrit ishin radhitur të fundit në grupe.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG