Ndërlidhjet

Costa në Podgoricë: Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028


Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në Podgoricë, 14 maj.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në Podgoricë, 14 maj.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të mërkurën në Podgoricë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është investim strategjik dhe kyç për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin, dhe se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i bllokut deri në vitin 2028.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Costa po e viziton vendin ballkanik në një kohë vendimtare për synimet e Podgoricës për t’u bërë pjesë e BE-së.

"Ardhja juaj konfirmon se perspektiva evropiane e Malit të Zi mbetet lart në agjendën e BE-së. Në këto kohë sfiduese, politika e zgjerimit mund të jetë vendimtare. Ne mund të jemi drita në fund të tunelit dhe konfirmim se procesi i zgjerimit është gjallë", tha Millatoviq.

Mali i Zi, siç deklaroi ai, dëshiron të jetë shembull i një historie të suksesshme evropiane.

Mali i Zi i nisi bisedimet për anëtarësim në qershor të vitit 2012, dhe prej atëherë i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre. Pas disa vitesh ngecjeje, ky vend i rinisi negociatat qershorin e kaluar dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Costa e përshkroi përparimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së si "mbresëlënës".

"Slogani '28 deri në vitin 2028' është shkëlqyeshëm, por do të ishte më mirë nëse do të arrihej më herët", tha ai, duke shtuar se Mali i Zi “mund të bëhet anëtari i 28-të dhe një lider në integrimin evropian të rajonit”.

Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, veçanërisht me vendet që janë tashmë anëtare të BE-së.

I pyetur rreth shqetësimeve të disa institucioneve evropiane në lidhje me marrëveshjen e Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe, ai u përgjigj se marrëveshje të tilla duhet të jenë në përputhje me ligjet e BE-së.

"Sidomos në fushat e prokurimit publik dhe mbrojtjes së mjedisit”, tha ai.

Kuvendi i Malit të Zi i miratoi javë më parë me procedurë të përshpejtuar ligjet që ratifikojnë Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë, Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim njërën nga këto dy marrëveshje - atë që i hapte rrugë dhënies me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.

Sipas asaj marrëveshjeje, Mali i Zi do t’ia jepte Plazhin e Madh me qira për 99 vjet kompanisë Emmar të biznesmenit arab, Mohamed Alabbarit, që do të ndërtonte një kompleks megaturistik në Ulqin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG