Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e mirëpritën vendimin e Qeverisë së vendit për të ngrirë çmimet e produkteve bazë - bukës, sheqerit, miellit, vajit, qumështit, mishit, djathit dhe gjizës - në nivelin e 1 dhjetorit, për 60 ditë.
“Për çdo ditë, çmimet shkojnë më lart e më lart. Nuk mund ta planifikosh më buxhetin familjar, ndërkohë që rrogat kanë ngecur, madje edhe janë ulur. Për shkak të pandemisë, bashkëshortja ime punon me gjysmë orari. Pra, kemi më pak para në buxhetin tonë familjar, kurse për një litër vaj paguajmë gati se 30 për qind më shumë se një vit më parë”, thotë Pero Nikollovski, i cili punon si kamerier në një lokal në qendër të Shkupit.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se rritje më të madhe të çmimit gjatë muajve të fundit ka pësuar vaji nga luledielli - për 23 për qind, krahasuar me periudhën janar-shtator, 2020. Çmimet me pakicë në periudhën e njëjtë të këtij viti kanë shënuar rritje për 3.7 për qind.
Edhe Irfani që menaxhon një shitore të produkteve ushqimore në lagjen Çair të Shkupit, thotë se ngrirja e çmimeve është vendim i duhur, pasi, siç thotë ai, çdo ditë përballet me ankesa nga blerësit.
“Kemi shumë ankesa prej qytetarëve si blerës. Në bazë të të ardhurave që i kanë, edhe këto çmime u duken të larta. Çdo rritje shkakton revoltë tek ata, sado e vogël të jetë rritja e çmimeve, sepse në katër apo pesë produkte tani paguajnë diku 100 denarë (1.5 euro) më shumë”, thotë Irfani.
Gëzime Fejzi, e cila udhëheq një kompani për prodhimin e produkteve nga qumështi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk ka ndihmë nga shteti në formë të subvencioneve, do të jetë e detyruar të ulë prodhimtarinë e saj.
“Nëse Qeveria nuk reagon me sigurimin e ndihmave, do ta kemi shumë të vështirë zhvillimin e biznesit. Besoj se shumica e kompanive më të vogla si prodhues të produkteve ushqimore, do ta mbyllin aktivitetin e tyre, pasi nuk do të mund të përballojnë koston e prodhimit. Kështu që produktet tona ka rrezik të mungojnë në raftet e dyqaneve”, thotë afaristja nga Shkupi.
Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë vjen pas rritjes së çmimeve për muaj të tërë dhe pas shpalljes së gjendjes së krizës në sektorin e energjetikës, më 9 nëntor.
“Pas situatës ekonomike, të shkaktuar nga kriza shëndetësore [me pandeminë COVID-19] dhe [kriza] energjetike në botë, si dhe [nga] fuqia konsumuese e qytetarëve në vend, u pa e nevojshme të kufizohen çmimet në tregun e lirë vetëm në produktet ushqimore primare, që janë produkte dominuese për konsum”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të marrë dy ditë më parë.
Sipas vendimit, deri më 31 janar, tregtarët nuk do të kenë mundësi t’i rrisin çmimet e produkteve ushqimore bazë.
Afaristët thonë se ngrirja e çmimeve do t’i zbrazë raftet e dyqaneve
Arben Halili, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa për ngrirjen e çmimeve bazë ushqimore, pa ngrirjen e lëndëve të para, do të shkaktojë një goditje mbi biznese të caktuara.
“Në këtë rast mund të themi se kemi një lloj paradoksi, përderisa ngrirja e çmimeve për konsum të përditshëm do të zbatohet, kurse, nga ana tjetër, këta persona që janë në rolin e prodhuesit, do të vazhdojnë përdorimin e lëndëve të para për të prodhuar produktet bazike, me çmime që në vazhdimësi do të jenë në rritje. Kjo mund të ketë kundër-efekt, respektivisht mund të çojë në mungesën e prodhimit”, thotë Halili.
Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Branimir Jovanoviq, i cili është i angazhuar si ekspert i ekonomisë në Institutin e Ekonomisë në Vjenë.
Jovanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se ngrirja e çmimeve, në asnjë mënyrë, nuk do t’i çojë kompanitë e produkteve bazë në humbje, por vetëm se do të ulë profitin e tyre.
“De facto, kjo masë do të ulë profitin e kompanive në një afat të shkurtër kohor, por kjo bëhet me qëllim që të ruhet komponenti social, përkatësisht që të mos goditen tej mase qytetarët nga rritja e vazhdueshme e çmimeve”, thotë Jovanoviq.
Sipas tij, me këtë vendim do të ulet profiti i kompanive në llogari të qytetarëve, por kjo, siç thotë ai, nuk nënkupton që kompanitë do të punojnë me humbje. Ai thotë se beson se kompanitë janë në kondicion të mirë për të përballuar ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë për një afat të caktuar.
Ky është vendimi i dytë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për kufizimin e çmimeve në treg, gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në mars të vitit të kaluar, Qeveria ka vendosur t’i ngrijë çmimet e bukës, kripës, vajit, qumështit dhe produkteve të qumështit, vezëve, miellit, mishit, makaronave, ilaçeve dhe dezinfektuesve. Kjo masë është aplikuar deri më 15 qershor, 2020, aq sa ka zgjatur gjendja e jashtëzakonshme.