Ndërlidhjet

Çmimet e naftës bien, por jo edhe të produkteve tjera


Rezervuari i një makine duke u mbushur me naftë
Rezervuari i një makine duke u mbushur me naftë

Çmimet e naftës dhe benzinës në Kosovë janë liruar, por jo edhe të produkteve apo shërbimeve të tjera.

Ato kanë rënë për rreth 40 centë, përkatësisht 15 centë, krahasuar me gushtin e kaluar, kur kanë qenë në kulmin e tyre.

Hov u kanë dhënë çrregullimet në tregje që ka shkaktuar lufta e Rusisë në Ukrainë.

Shtrenjtimi, pastaj, ka shkaktuar efekt zinxhiror - janë rritur çmimet e shumë produkteve të konsumit dhe të shërbimeve.

Elizabeta nga Istogu paguan 5 euro biletën e autobusit për në Prishtinë, ku edhe studion.

Deri verën e kaluar, çmimi për këtë relacion prej 78 kilometrash ka qenë 4 euro.

Përkundër lirimit të naftës, çmimi i biletës së autobusit ka mbetur i njëjtë, thotë Elizabeta, e cila udhëton tri herë në javë.

“Për studentë, çmimi është i papërballueshëm. Unë nuk punoj, prindërit më financojnë. Kjo është barrë për ta, sepse kanë edhe shpenzime të tjera”, thotë Elizabeta për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm është edhe çmimi nga Gjakova në Prishtinë - 10 euro për vajtje ardhje.

Fiona Kaqi, studente e nivelit master në Prishtinë, thotë se i bie të udhëtojë një herë në javë në këtë relacion dhe këtë e konsideron fat.

“Vitin e kaluar, kur kam qenë studente e nivelit ‘bachelor’, [kam udhëtuar më shpesh]. Ka qenë barrë shumë e madhe për prindërit, pasi, në të njëjtën kohë, kanë studiuar edhe vëllezërit dhe motra”, tregon Fiona për Radion Evropa e Lirë.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit mbi 12 për qind dhe me rrogë mesatare rreth 480 euro.

Në Shoqatën e Transportueseve Rrugorë të Kosovës thonë se çmimet e biletave nuk i ndikon vetëm çmimi i naftës. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Jakup Berisha, pajisjet dhe mirëmbajtja e autobusëve janë shtrenjtuar ndjeshëm.

“... pastaj ndikon edhe rroga. Një shofer që në këtë periudhë të vitit të kaluar pagën e ka pasur 400 euro, aktualisht e ka 600 euro, apo edhe 50 për qind më shumë”, thotë Berisha.

Çmimet e produkteve të konsumit kanë mbetur, po ashtu, pa u ndryshuar. Në disa raste, ato kanë vazhduar të rriten, pavarësisht lirimit të naftës, që është komponent bazë për transportin.

Teuta, një punonjëse e sektorit publik në Prishtinë, thotë se barra e çmimeve po shkon duke u rënduar.

“Shtrenjtimi vërehet shumë. Më herët kemi dalë më shpesh në restorante, tash dalim më rrallë. Artikujt elementarë i blejmë, sepse janë të domosdoshëm, mirëpo disa gjëra është dashur t’i kufizojmë”, thotë Teuta.

Pritet stabilizim i inflacionit

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, thotë se këtë vit pritet stabilizim i inflacionit.

“Do të thotë, inflacioni do të jetë më i ulët seç ka qenë vitin e kaluar, por jo domosdoshmërisht do të ketë rënie të çmimeve. Stabilizimi i çmimeve mund të jetë në nivelin që është tash”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është përshtatja e pagave me çmime.

Në fillim të shkurtit, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur çmime produktesh që janë rritur në mënyrë artificiale dhe se ato kanë mbetur të tilla.

Ai nuk specifikon më shumë, por në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës thonë se vazhdimisht e monitorojnë tregun.

“Inspektorati i Tregut mbetet i përkushtuar që në secilin rast, kur hasen mashtrime me çmimet, përfshirë edhe ngritje të pajustifikueshme të çmimeve, të ndërmarrë masa”, thuhet në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Një hulumtim që ka publikuar këtë javë Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka gjetur se rritja e çmimeve të mallrave përbën rrezikun kryesor për sigurinë kombëtare.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG