Ndërlidhjet

Ngushtica e Hormuzit: Çfarë është dhe pse ka rëndësi?


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ligjvënësit iranianë kanë mbështetur thirrjet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit – një rrugë tregtare jetike për botën, nëpër të cilën kalon mbi një e pesta e furnizimit global me naftë çdo ditë.

Teherani ka kërcënuar edhe më parë me një veprim të tillë, i cili do të kufizonte tregtinë dhe do të ndikonte ndjeshëm në çmimet globale të naftës, por nuk e ka vënë asnjëherë në zbatim.

Megjithëse duket se ekziston një konsensus në parlamentin iranian për mbylljen e ngushticës, vendimi përfundimtar i takon Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.

Përveç Iranit, edhe Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku varen nga kjo rrugë e ngushtë ujore për të eksportuar naftën e tyre drejt Kinës dhe tregjeve të tjera ndërkombëtare.

Ngushtica ndodhet mes Omanit dhe Iranit, duke lidhur Gjirin Persik në veri me Gjirin e Omanit në jug dhe më tej me Detin Arabik.

Në pikën më të ngushtë, ajo ka një gjerësi prej 33 kilometrash, ndërsa korridori i lundrimit për anijet është vetëm 3 kilometra i gjerë.

Si anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Irani prodhon rreth 3.3 milionë fuçi naftë në ditë dhe eksporton mbi 2 milionë fuçi naftë dhe karburant çdo ditë.

Mbyllja e ngushticës do t’i jepte Teheranit një mjet të drejtpërdrejtë presioni ndaj Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës – e cila me gjasë do të nxiste inflacionin, si në SHBA, ashtu edhe globalisht.

Megjithatë, një veprim i tillë do të përbënte gjithashtu një akt të rëndë të vetësabotimit ekonomik.

Edhe Irani varet nga e njëjta rrugë për eksportet e veta të naftës, dhe një bllokadë e tillë mund të nxiste vendet arabe të Gjirit – pavarësisht kritikave ndaj sulmit izraelit – të ndërhyjnë për të mbrojtur interesat e tyre strategjike dhe ekonomike.

Konfliktet në Lindjen e Mesme

këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, infografika, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, luftën në Gazë dhe tensionet tjera rajonale.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG