Ndërlidhjet

Britania, Kanadaja dhe Australia e njohin zyrtarisht shtetin palestinez


Një flamur palestinez. (Fotografi nga arkivi)
Një flamur palestinez. (Fotografi nga arkivi)

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez të dielën, duke iu bashkuar vendeve të tjera në një lëvizje që synon ringjalljen e përpjekjes për zgjidhjen me dy shtete, por që është kritikuar nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha vendimi i Britanisë vjen pas dështimit të Izraelit për t’i përmbushur kushtet, përfshirë një armëpushim në luftën gati dyvjeçare në Gazë.

“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës” tha kryeministri Keir Starmer në X.

Britania, Kanadaja dhe Australia u bashkohen më shumë se 140 vende të tjera në njohjen e shtetit palestinez, por vendimi i tyre pritet t’i zemërojë si Izraelin ashtu edhe aleatin e tij kryesor, Shtetet e Bashkuara.

Edhe Portugalia pritet gjithashtu ta njohë palestinez të dielën më vonë.

Britania dhe Kanadaja u bënë vendet e para të grupit të G7-ës që ndërmorën këtë hap, ndërsa Franca dhe vende të tjera pritet të ndjekin shembullin e tyre gjatë Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OKB-së, e cila nis të hënën në Nju Jork.

“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit për një të ardhme paqësore si për Shtetin e Palestinës, ashtu edhe për Shtetin e Izraelit”, shkroi kryeministri kanadez Mark Carney në X.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, shkroi në rrjetet sociale se vendi i tij ndoqi hapat e Britanisë dhe Kanadasë në njohjen e shtetit palestinez.

Ai thotë se kjo është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët së bashku me Kanadanë dhe Britaninë dhe do të formojë “një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete”.

Ky është një moment historik për palestinezët dhe shpresat e tyre shumëvjeçare për shtetësi, ndërsa kombet më të fuqishme perëndimore kanë argumentuar për kohë të gjatë se ajo duhet të vijë vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të negociuar paqeje me Izraelin.

Por, ky hap i këtyre shteteve është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi me zemërim dhe u zotua ta kundërshtojë atë në mbledhjen e OKB-së.

Thirrjet për një shtet palestinez “do të rrezikonin ekzistencën tonë dhe do të shërbenin si një shpërblim absurd për terrorizmin”, tha Netanyahu të dielën.

Një numër gjithnjë e më i madh aleatësh afatgjatë kanë ndryshuar pozicion, pasi Izraeli ka intensifikuar luftën në Gazë, duke u zotuar ta shkatërrojë grupin militant palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Gjatë pothuajse dy vjetëve luftë në Gazë, ofensiva izraelite ka vrarë mbi 65.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, ka shkaktuar uri ekstreme, ka shkatërruar pjesën më të madhe të ndërtesave dhe ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë, në shumë raste disa herë.

Gjakderdhja në Gazë ka nxitur protesta në qytete të shumta evropiane dhe ka shtuar kritikat ndaj BE-së për paaftësinë e perceptuar për të ushtruar trysni të mirëfilltë mbi Izraelin që të ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare.

Lufta nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG