Ndërlidhjet

Britania, Franca dhe Italia vlerësojnë rolin e KFOR-it dhe FSK-së në operacionin e kërkimit në Ujman


FSK gjatë kërkimit në Ujman.
FSK gjatë kërkimit në Ujman.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar koordinimin mes misionit të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit të RR.L, që ishte zhdukur në liqenin e Ujamanit në Zubin Potok.

Përmes një deklarate, Ambasada Britanike thekson se ky operacion është dëshmi e aftësive të shkëlqyera të FSK-së në kërkim dhe shpëtim dhe se bashkëpunimi me KFOR-in është në përputhje me marrëveshjet ndërmjet dy institucioneve.

Ambasada Britanike ka përgëzuar KFOR-in për sigurimin dhe mbështetjen gjatë tërë operacionit dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është thelbësor për suksesin e këtij misioni”, thuhet në reagim.

Edhe Ambasadori i Francës në Kosovë ka shprehur mbështetjen e plotë të shtetit francez për KFOR-in dhe Komandantin e tij.

“Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht, sidomos në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, shkroi ambasadori Olivier Guerot në platformën X.

Ai gjithashtu ka vlerësuar mediat që kanë raportuar saktë për rolin e KFOR-it në përpjekjet për gjetjen e trupit të personit të zhdukur në liqenin e Ujmanit.

Në lidhje me operacionin ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Kosovë.

Reagimi u shpreh mbështetje misionit të KFOR-it dhe komandantit të KFOR-it, që siç thuhet “ka vepruar brenda kufijve të mandatit të tij, përballë një rrethane fatkeqe që kërkonte ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare”.

Një ditë më parë, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, tha se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit.

“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, u tha në reagimin e Ambasadës gjermane.

Operacioni i kërkim-shpëtimit nisi me 27 korrik, por Agjencia për Menaxhim Emergjent kërkoi asistimin e FSK-së, për nxjerrjen e trupit të RR.L, i cili dyshohet se kërceu nga lartësia e një ure në Ujman.

Dislokimi i FSK-së u bë i mundur vetëm pas dhënies së pëlqimit nga komandanti i KFOR-it.

FSK-ja, brenda pak orësh, arriti ta identifikojë dhe nxjerrë nga thellësia trupin e 33-vjeçrit.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

FSK gjen trupin e pajetë në Liqenin e Ujmanit, pas dislokimit të miratuar nga KFOR-i
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:22 0:00

Ky zotim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.

Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.


Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG