Në Brezovicë nuk mbahet mend një sezon kaq i keq, thonë biznesmenë dhe prodhues lokalë.
Për shkak të sasisë së pamjaftueshme të borës, sezoni pothuajse ka dështuar dhe humbjet financiare janë të mëdha, thonë ata.
Turistët që e vizitojnë rregullisht këtë qendër skijimi në Malin e Sharrit pajtohen, megjithëse thonë se Brezovica i ka hijeshitë e saj edhe pa borë.
Brezovica gjendet në qytetin me të njëjtin emër në territorin e Komunës së Shtërpcës - rreth 80 kilometra nga Prishtina. Konsiderohet si një nga qendrat më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Këtë vit, sezoni i skijimit atje nuk ka filluar ende, për shkak se nuk ka borë të mjaftueshme.
Sllavisha Janiqeviq, i cili ka dyzet vjet që punon në qendrën e skijimit në Brezovicë, nuk e kujton këtë lloj sezoni në janar. Thotë se nuk mban mend as numër kaq të vogël turistësh - gjë të cilën e lidh me mungesën e borës.
“Më kujtohet që dikur ka pasur deri në tri metra borë, ndërsa aktualisht ka 15 deri në 20 centimetra. Prandaj nuk lejohet skijimi”, thotë Janiqeviq për Radion Evropa e Lirë.
Qendra e skijimit në Brezovicë ka nëntë teleferikë për të njëjtin numër të pistave të skijimit - më e gjata prej të cilave është 3.500 metra.
Por, në kushtet aktuale, Brezovica mund të shfrytëzohet vetëm për shëtitje.
“Është vërtet bukur, por pa borë”
Remzi Gashi nga Prizreni e kaloi fundjavën në Brezovicë, ndonëse e dinte se, gjatë kësaj periudhe, nuk do të mund të skijonte, ashtu sikurse viteve të kaluara.
“Ka më pak borë, por mua më pëlqen këtu edhe kështu. Siç duket, edhe ne duhet të përballemi me ndryshimet klimatike”, thotë Gashi.
Përveç tij, më 14 dhe 15 janar në Brezovicë qëndruan rreth 1.000 adhurues të sporteve të bardha, e mes tyre edhe Ela nga Durrësi - qytet bregdetar në veri të Shqipërisë.
Ajo shpresonte se do të gjente borë, por thotë se Brezovica është e bukur edhe pa të.
“Do të vijmë sërish kur të ketë më shumë borë”, thotë ajo.
Ngjashëm për Brezovicën flet edhe Marku nga SHBA-ja, i cili thotë se ka miq në Kosovë dhe se i viziton rregullisht.
“Këtu [në Brezovicë] jam për herë të parë dhe është vërtet bukur. Bora nuk është e mjaftueshme, por kjo bukuri mund ta kompensojë”, thotë ai.
A ka dështuar sezoni dimëror?
Nga Administrata e Qendrës së Skijimit në Brezovicë thonë se të gjitha përgatitjet për fillimin e sezonit dimëror kanë përfunduar me kohë, në fund të muajit nëntor.
Ata shtojnë se për shkak të motit jashtëzakonisht të ngrohtë për këtë periudhë të vitit, sezoni është “çrregulluar”, por ende shpresojnë që të mos dështojë.
“Po të kishim topa bore, gjithçka do të ishte ndryshe. Ne krijuam një plan të ri biznesi, por do të shohim se si do të shkojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lubisha Stojanoviq, menaxher i Qendrës së Skijimit Brezovica.
Komuna e Shtërpcës, në territorin e së cilës gjendet Brezovica, është multietnike, kështu që në qendrën e skijimit punojnë edhe serbë, edhe shqiptarë.
Ata pajtohen se nuk mbajnë mend një sezon kaq të keq.
“Ky sezon është më i dobët deri në 70 për qind sa u përket të ardhurave në industrinë e hotelerisë. Kështu nuk ka qenë kurrë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Luli Zhubi, i cili punon atje tash e tridhjetë vjet.
Humbjet nga mungesa e borës
Dane ka një kompani që ofron me qira makina për borë. Ai ka të punësuar rreth njëzet punëtorë, por për shkak të sezonit të keq, gjysmën e tyre nuk ka arritur t’i angazhojë këtë vit.
“Nuk kemi para për të paguar as shpenzimet elementare. Do të ishte ideale sikur të binte së paku një metër borë dhe turistët të ktheheshin - gjë që është e pamundur”, thotë ai.
Ngjashëm shprehet edhe Blerim Islami, i cili ofron me qira pajisje skijimi.
“Ka pak vizitorë, prandaj ka shumë pak të interesuar për pajisjet që unë i ofroj. Nuk mbahet mend kaq pak borë këtu, në rreth 1.700 metra mbi nivelin e detit”, thotë Islami.
Edhe Sreqko Stanishiq ka rreth 20 vjet që ofron pajisje për skijim për turistët. Ai shpreson se do të ketë borë dhe se, edhe këtë vit, do të vijnë mysafirë nga vendet e rajonit.
Ai veçon turistët nga pjesa bregdetare e Shqipërisë që, siç thotë, janë “konsumatorë jashtëzakonisht të mirë”.
“Ata fitojnë para gjatë sezonit të verës dhe i ruajnë për dimër. Sillemi në një rreth të tillë”, thotë Stanishiq.
Në rrezik janë edhe fermerët...
Fshatarët nga territori i Komunës së Shtërpcës, të cilët gjenden afër Brezovicës, merren kryesisht me prodhimin e frutave, perimeve apo produkteve të qumështit, të cilat më pas ua shesin turistëve.
“Për vite me radhë kemi shitur djathin e njohur të Sharrit, qumështin, mjedrat dhe lëngje të ndryshme. Këtë vit, shitja ka rënë në minimum. Është një humbje e madhe për ne”, thotë Sara Iviq për Radion Evropa e Lirë.
“Deri para pak kohësh kam pasur rreth 200 dele, rreth 20 krerë bagëti, derra, dhi... Shisja djathë dhe mish, sidomos gjatë stinës së dimrit. Tani kohët janë të tilla që nuk kam më asnjë kokë bagëti”, thotë Sllavisha Janiqeviq, punonjës në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.
Potenciali turistik i Kosovës
Kosova ka pesë rajone turistike: Alpet shqiptare, rajoni i Sharrit, i Anamoravës, i Mitrovicës dhe i Shalës së Bajgorës.
Përveç tyre, në Kosovë ekziston edhe një rajon qendror që përfshin kryeqytetin - Prishtinën.
Kosova ka edhe atraksione dhe destinacione të tjera turistike, si burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushes dhe shpella të shumta. Ndër burimet e njohura termike janë banjat në Kllokot dhe Pejë.