Në momentin kur presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, shkeli mbi qilimin e kuq para Pallatit të Serbisë, ku u mirëprit nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq dhe garda e Ushtrisë së Serbisë, në botën virtuale të rrjeteve sociale, vizita e parë zyrtare e udhëheqësit të ri malazias u prit me një numër të madh komentesh pozitive.
Pasi në Twitter u publikua një listë që përmban emrat e pak më shumë se 3.000 njerëzve dhe më shumë se 14.000 llogarive në rrjetet sociale Twitter, Facebook, TikTok dhe Instagram, të cilat dyshohet se shpërndajnë përmbajtje të ngjashme me atë që po shpërndahet në mënyrë të organizuar përmes kanaleve zyrtare të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe komiteteve të saj, aktiviteti i këtyre llogarive në internet nuk është ndërprerë.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë (REL) i analizuan 2.200 postime, në të cilat emri i presidentit të Serbisë, Vuçiq, u përmend vetëm gjatë vizitës së presidentit të Malit të Zi në Beograd, në mënyrë që të vinin në përfundim nëse vërtet ishte një aksion për të shpërndarë mesazhe të ngjashme apo identike përmes rrjeteve sociale.
"Po lidhim marrëdhënie të mira me Malin e Zi dalëngadalë, është e rëndësishme të kemi interesim të dyanshëm në bashkëpunimin e suksesshëm...", "Është tejet e rëndësishme të punojmë për t’i përmirësuar marrëdhëniet...", "Përkrahja e dyanshme i forcon themelet për një të ardhme më të mirë. Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të kujdesen për një miqësi afatgjate” - këto janë vetëm disa nga mesazhet që e vërshuan Twitter-in gjatë kohës së vizitës zyrtare të Millatoviqit.
Qindra përdorues të Twitter-it shprehën të njëjtin qëndrim, në mënyra të ndryshme, se Serbia dhe Mali i Zi po e ndërtojnë një të ardhme më të mirë së bashku.
Analiza e REL-it tregon se – përveç mesazheve të një numri të madh të komiteteve komunale dhe shpërndarjes së postimeve të mesazheve zyrtare nga uebsajtet kryesore të SNS-së, nga 95 llogari që vepronin si përdorues individualë – mesazhi i njëjtë u dërgua brenda vetëm pak orëve.
Këto llogari në Twitter janë pothuajse identike, përmbajtja që ato e shpërndajnë është gati e njëjtë, vetëm pak prej tyre postojnë ndonjë gjë tjetër që nuk është e natyrës politike.
Nëntëdhjetë e pesë prej atyre llogarive, 92 janë në listën e publikuar së fundmi në Twitter.
Në rreth 30 llogari të tilla, dy apo tri postime për “një të ardhme të re, më të ndritur” u publikuan në mëngjesin kur u fol për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Fotografia e njëjtë u shpërnda brenda minutës në gjithë Twitter-in.
Gazetarët e REL-it hetuan se si shpërndahet përmbajtja e vetëm një medie.
Një fotografi, që shfaq presidentët Vuçiq dhe Millatoviq, me mesazhin: “Për ne, Mali i Zi është partner jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të ekonomisë, por edhe për shkak të afërsisë tradicionale dhe lidhjeve të qytetarëve tanë. Ne po përpiqemi t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona, që të bëhen pakrahasueshëm më të mira seç ishin”, u shpërnda për një kohë të shkurtër nga një numër i madh i përdoruesve të internetit.
Fotografia u publikua së pari nga komiteti komunal i SNS-së në Mallo Cërniqe, në Serbinë qendrore, pak para orës 13:00, më 10 korrik.
Brenda vetëm pak minutash, e njëjta foto, me një mesazh të ngjashëm shoqërues, u publikua nga përdoruesit e Twitter-it nga llogari që, sipas përshkrimit, janë llogari të bordeve të ndryshme komunale të SNS-së nëpër Serbi.
Rreth orës 13:30, përdorues të ndryshëm në Twitter filluan ta shpërndajnë fotografinë, dhe brenda 30 minutave, përmbajtja pothuajse e njëjtë u shpërnda nga 33 llogari të ndryshme.
Brenda dy orëve, e njëjta fotografi u shpërnda nga 58 përdorues individualë, prej të cilëve vetëm tre nuk janë në listën e rreth 3.000 të ashtuquajturve “botët” e SNS-së. Gjatë asaj kohe, fotografia u shpërnda nga qytetet që ndodhen në 20 prej 29 rrethinave në Serbi.
Të gjitha fotografitë i kishin dy etiketa të ngjashme, Serbia dhe Vuçiq. Të gjithë e përmendën urdhrin e presidentit të Serbisë.
Andrej Petrovski, nga Fondacioni SHARE, i tha REL-it se ky fondacion ka paralajmëruar për ekzistencën e një rrjeti struktural të "botëve" që nga viti 2018, por asgjë nuk ka ndryshuar.
“Kjo s’është informatë e re. Madje edhe pas mbylljes së llogarive, ekipi për internet i SNS-së e vazhdoi veprimtarinë e vet. Në ndërkohë, ata iu përshtatën ndryshimeve, pra shpërndarja e përmbajtjes nuk është krejt automatike, gjë që e zvogëlon mundësinë e fshirjes së llogarive të tyre”, tha Petrovski.
Ai shton se një parti politike mund të ketë aktivistë, të cilët merren me përmbajtje në rrjetet sociale, por se u takon institucioneve të vendosin nëse dikush e bën këtë në kohën e vet të lirë apo nëse paguhet nga buxheti për këtë punë.
Petrovski nënvizon se në rastin e fundit të rrjedhjes së të dhënave, bëhet fjalë për rrjedhjen e të dhënave personale në publik, e cila është në kundërshtim me Aktin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Institucionet duhet të vendosin se si lista e të ashtuquajturave ‘botë’ rrodhi në publik dhe të ofrojnë përgjigje për të gjitha pyetjet e rëndësisë publike, t’i hetojnë dyshimet për keqpërdorim të mundshëm të parasë publike për qëllime partiake, etj. Tani, kemi një situatë ku i gjithë problemi po zgjidhet përmes komuniteteve të Twitterit, dhe jo nga institucionet siç do të duhej”, thotë Petrovski.
Çfarë thonë përfaqësuesit e SNS-së nga kjo listë?
REL-i bëri kërkesë për koment në zyrën për media të SNS-së, por nuk mori përgjigje deri në fund të ditës.
Megjithatë, kjo çështje u diskutua në Parlamentin e Serbisë, më 11 korrik.
Deputeti i SNS-së, Millimir Vujadinoviq, i kërkoi Parlamentit ta ndalte seancën, për gjoja, persekutimin e 14.500 anëtarëve të SNS-së, të cilët po shënjohen në rrjetet sociale si “botë”.
“Këto ditë, në rrjetet sociale, ju i hidhni në publik paarsyeshëm emrat e 14.500 njerëzve, të cilët kanë guximin ta përkrahin politikën e presidentit të Serbisë dhe SNS-në në hapësirën e mediave. Në mesin e tyre është emri im, dhe i kolegëve të mi, Dragana Llukiq dhe Tomisllav Jankoviq, dhe të tjerëve, sikur ne të ishim kushedi, luftëtarë dhe përkrahës të fshehur, jo të hapur, të politikës së presidentit të Serbisë dhe të SNS-së. Nuk ka asgjë të fshehtë këtu. Ne jemi! Ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë, ne dhe ata 14.500 njerëz”, u shpreh Vujadinoviq.
Më herët, shefi i grupit parlamentar të SNS-së, Millenko Jovanov, publikimin e listës e cilësoi si shkelje të privatësisë, për shkak se ishin publikuar emrat dhe mbiemrat e personave të caktuar.
“Ata i shpikën gjysmën e tyre, i falsifikuan gjysmën e tyre, shkruan kushedi çka. Kundër njerëzve nga SNS-ja lejohet çdo mjet”, tha Jovanov.
Llogaritë e dyshuara si "botë" janë fshirë tashmë
Tri vjet më parë, Twitter-i i fshiu më shumë se 8.500 llogari të regjistruara në Serbi.
Siç kishin shpjeguar nga rrjeti social në atë kohë, vendimi ishte marrë “për shkak të një fushate të organizuar dhe të mbështetur nga qeveria në favor të partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe, dhe liderit të saj, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.”
Observatori i Internetit i Stanfordit nga Kalifornia, i cili merret me çështjet e sigurisë kibernetike, i analizoi të dhënat e publikuara më 2017 dhe 2018.
Në raportin e Observatorit përshkruhen pikat kryesore të këtyre operacioneve dhe taktikave të përdorura, për t’i arritur synimet e urdhrave bashkërendues dhe njoftimet në njërën anë dhe shtetin në anën tjetër.
“Një numër i madh i llogarive në rrjetin Twitter punoi vazhdimisht për t’i legjitimuar politikat e Vuçiqit dhe për ta minuar përkrahjen publike për kundërshtarët e tij, përfshirë të atyre që po organizonin lëvizjen ‘1 nga 5 milionë’, e cila organizoi protestat kundër qeverisë në Beograd për më shumë se një vit”, thuhet në raportin e Observatorit.
“Ky ishte një rrjet i madh i llogarive që bënë më shumë se 43 milionë postime në Twitter”, theksoi raporti.