Sakib Ademoviq ka 28 vjet që jeton në afërsi të Prizrenit, por vazhdimisht e ëndërron vendlindjen e tij, Gornja Vërsinjën, që gjendet në afëri të Vlasenicës në lindje të Bosnjë e Hercegovinës.
Aktualisht, ky 70-vjeçar, i përkatësisë boshnjake, nuk ka mundësi të vizitojë fshatin e tij. Ai nuk ka dokumente të vlefshme udhëtimi as të Kosovës, e as të Bosnjë e Hercegovinës.
Sakibi erdhi në Kosovë në vitet ’90, gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Lufta e gjeti me prindërit në qytetin e Han Pijeskut, 30 kilometra larg vendlindjes, ku punonte në një kombinat bujqësor. Pasi atij iu dogjën pronat dhe iu vranë disa anëtarë të familjes, ai thotë se ai dhe familja e tij u përpoqën të gjenin strehim jashtë Bosnjës.
“Vëllai im Nijazimi, i cili në atë kohë ishte afër Sarajevës, kërkoi nga një shok i tij i shkollës, një serb, i cili ishte pilot helikopterësh, që të na nxirrte disi nga Han Pijesaku dhe të na dërgonte në një vend ku nuk kishte aq shumë rrezik".
"Ai na informoi se kur dhe ku ta prisnim në qytetin Sokolac [afër Sarajevës]. Ai transportonte të plagosurit nga Pale [një komunë në Sarajevën lindore, pjesë e Republika Sërpskas]. Sipas marrëveshjes, shkuam atje dhe më pas na transportoi në Batajnicë të Beogradit. Pas kësaj, piloti vazhdoi punën e tij dhe ne erdhëm në Kosovë, ku kisha një motër në fshatin Korishë, afër Prizrenit”, tregon Sakibi për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë fshat të banuar me shqiptarë, që gjendet në rrugën Prizren-Suharekë, Sakibi dhe familja e tij jetuan për disa vite, deri kur familja e motrës nuk kishte më mundësi t’i mbante. Pastaj, ata u shpërngulën në Prizren dhe Sakibi nisi të punonte në bujqësi.
Pak kohë pas kësaj i vdiqën prindërit dhe vëllai i Sakibit u largua nga Kosova pasi u martua. Sakibi tregon se shpesh mbeste pa punë dhe nuk kishte ku të jetonte, deri kur u takua me Ismet Alishanin nga rajoni i Prizrenit, te i cili punon sot, duke u kujdesur për bagëtinë.
Ai aktualisht jeton në një ahur dhe kështu ka siguruar kulm mbi kokë dhe ushqim. Sakibi thotë se për këtë i është mirënjohës Ismet Alishanit.
Megjithatë, ai beson se çdo ndihmë që mund të marrë është e rëndësishme për të.
Vitin e kaluar, për herë të parë qëkur banon në Kosovë, ai shkoi në Zyrën komunale për Komunitete dhe Kthim në Prizren për të kërkuar që të zgjidhte statusin e tij në Kosovë dhe rrjedhimisht të pajisej me dokumente të Kosovës. Megjithatë, Sakibi ende nuk arrin të shpjegojë pse ka pritur kaq gjatë për të zgjidhur këtë çështje.
Sakibi thotë se ka vetëm një letërnjoftim të lëshuar në periudhën kur ishte Republika Federale e Jugosllavisë, certifikatën e lindjes dhe një vërtetim se është shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.
Nëse arrin të marrë dokumentet e Kosovës, një gjë e tillë do t’i mundësonte atij që të fitojë të drejtën e pensionit ose të marrjes së ndihmave sociale.
Megjithatë, Igballe Rama-Fazli, udhëheqëse e Zyrës komunale për Komunitete dhe Kthim në Prizren, thotë për Radion Evropa e Lirë se Sakib Ademoviq nuk i përmbushë kushtet për marrjen e shtetësisë së Kosovës.
“Në udhëzimin parashihet vetëm [rregullim i statusit] për persona të zhvendosur dhe të kthyer. Ne nuk mund ta klasifikojmë Ademoviqin në asnjërën kategori. Ai na kërkoi që t'i sigurojmë çfarëdo dokumenti për t'i rregulluar të drejtat e tij, përfshirë edhe pensionin. Jam konsultuar me autoritetet në komunë dhe që nga fillimi kam menduar se nuk mund t'ia japim [dokumente të Kosovës] sepse e dija që nuk ishte paraqitur më herët fare [tek autoritetet]”, thotë Rama-Fazli.
Nga Komuna e Prizrenit po ashtu thonë se Sakib Ademoviq ishte regjistruar si refugjat si në vitin 1999 në Kukës, në veri të Shqipërisë, gjatë intervenimit të NATO-s, kur ai dhe shqiptarë të tjerë nga Kosova, por edhe nga fshati Korishë, u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Rama-Fazli premton se “këto ditë” do të bisedojë me kryetarin e komunës, pasi tashmë ka caktuar një takim lidhur me këtë çështje. Komuna thotë se është gati t’ia ndërtojë një shtëpi Sakibit, por problemi qëndron se ai nuk ka tokë në emër të tij dhe as dokumente të Kosovës.
Sipas Ligjit për shtetësinë, shtetësia e Kosovës fitohet, ndër të tjera, me lindjen në Kosovë, me adoptim dhe natyralizimin.
Për të marrë shtetësinë me natyralizim, personi i huaj duhet të jetë i moshës madhore në ditën e aplikimit, të ketë qëndruar në Kosovë pa ndërprerë për pesë vjet pas marrjes së leje qëndrimit të përhershëm, dhe të posedojë mjete materiale të mjaftueshme për të siguruar jetesën e vet dhe të personave për mbajtjen e të cilëve është përgjegjës, pa shfrytëzuar skemat e asistencës sociale.
Sakibi vazhdon të mbijetojë duke u varur nga ndihmat e njerëzve vullnetmirë, teksa jeton me mallin që ta vizitojë edhe një herë vendlindjen e tij.
“Nuk mund të fle natën për shkak të kësaj”, thotë ai ndërsa fshin lotët.
Facebook Forum