Ndërlidhjet

Borxhet e veriut të Kosovës


Disa qytetarë duke kaluar në urën mbi lumin Ibër që ndan pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës.
Disa qytetarë duke kaluar në urën mbi lumin Ibër që ndan pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, vazhdojnë të mos paguajnë faturat e energjisë elektrike, ujit të shpenzuar, por në raste të shumta as obligimet tatimore ndaj shtetit të Kosovës.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në këto komuna. Që nga viti 1999 deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga konsumatorët e viseve tjera të Kosovës. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta, vlerë kjo që konsiderohet se është paguar për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit, në fund të vitit 2017, kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet, sepse ishte joligjore.

Rrymën e shpenzojnë, por fatura nuk paguajnë

Edhe gjatë vitit të kaluar, qytetarët e kësaj pjese nuk kanë paguar faturat e energjisë. Në raportin vjetor të vitit 2019, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, nuk janë llogaritur humbjet me mjete financiare, por thuhet se "konsumi i paautorizuar i energjisë përbën 13.04 për qind të kërkesës në shpërndarje, prej të cilës energjia e pafaturuar në katër komunat veriore të Kosovës përbën 5.53 për qind ose 294 Gigavatorë ( GWh)”.

Konsumatorët e kësaj pjese furnizohen me energjinë e prodhuar nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kurse faturat duhet t’ia paguajnë Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), pasi kjo e fundit ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë.

Mospagesa e faturave ka ndodhur për shkak se zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve dhe as të mbledhnin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.

Katër komunat në veri të Kosovës janë të banuara me shumicë serbe, të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, qysh në vitin 2013 ishte nënshkruar Marrëveshja për energji, por që si e tillë nuk është zbatuar nga Serbia.

Në bazë të Marrëveshjes për energji, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kusht për Serbinë ishte edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Autoritetet kompetente të Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për regjistrimin e kësaj kompanie, por që Serbia nuk po e bën një veprim të tillë.

Në veri nuk paguajnë as për ujin e shpenzuar

Përveç 12 milionë eurove në vit për faturat e energjisë, konsumatorët e këtyre komunave kanë borxh edhe mbi 15 milionë euro të tjera për faturat e ujit të shpenzuar që nga viti 1999.

Konsumatorët e këtyre komunave furnizohen me ujë të pijshëm nga Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”. Kjo kompani është nën ombrellën e Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU).

Zyrtarë të këtij autoriteti më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se në pjesën veriore, gjatë vitit 2019 janë dërguar mbi 6 milionë metër kub ujë.

Madje çmimi për një metër kub në atë pjesë kushton 0,17 euro, kurse për konsumatorët e pjesës jugore është rreth dyfish më i lartë.

Mospagesa e faturave jo rrallë herë ka vështirësuar veprimtarinë e kompanisë. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës pothuajse për çdo vit bën subvencionim në shuma të ndryshme financiare, në mënyrë që të mundësohet operimi i kompanisë. Subvencionimi i qeverisë për kompaninë e ujësjellësit “Mitrovica” ka ndodhur me taksa të tatimpagueseve.

Veriu i Kosovës edhe pa kuponë fiskalë

Në atë pjesë, bizneset zhvillojnë veprimtarinë e tyre në shumicën e rasteve të paregjistruara në institucionet qendrore të Kosovës dhe pa paguar obligimet tatimore.

Në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë të regjistruara vetëm 981 biznese me gjithsej 1,316 njësi aktive. Nga ky numër, tatim në ATK paguajnë 255 biznese.

Nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti, vlera e tatimeve të marra nga këto biznese, pa kontribute pensionale, është 663 mijë euro, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të ATK-së.

Bizneset në atë pjesë operojnë edhe pa Pajisje Elektronike Fiskale, proces ky që në gjithë territorin e Kosovës ka filluar në vitin 2009. Në bazë të kësaj pajisjeje, pas çdo blerjeje lëshohet kuponi fiskal.

Moslëshimi i kuponit fiskal dhe mostransmetimi i të dhënave në Administratën Tatimore të Kosovës, janë të ndëshkueshme me ligjet në fuqi.

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se qasja e këtij institucioni në katër komunat e banuara me shumicë serbe, nuk është shumë komode nëse krahasohet me rajonet tjera të Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG