Boeing do t’i mbyllë 17.000 vende të punës, dhe do ta shtyjë fazën e prodhimit, për t’u përballur me problemet që ka brenda biznesit.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Kelly Ortberg, ka thënë përmes një emaili drejtuar stafit se, pozitat e “shefave, menaxherëve dhe punëtorëve”, janë në rrezik.
Aty punonjësit janë paralajmëruar për humbjet në fushën e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, dhe që është shtyrë data e dorëzimit të aeroplanëve të llojit 777X.
Këto lajme vijnë teksa biznesi përballet me grevë të punëtorëve, si dhe shqetësime në rritje për kualitetin e aeroplanëve.
Ortberg ka thënë se kompania do të zvogëlojë 10 për qind të vendeve të punës në “muajt vijues”.
“Faza në të cilën është biznesi dhe rimëkëmbja jonë në të ardhmen, na detyron të marrim vendime të vështira”, ka thënë Ortberg.
Një grevë e madhe, e zgjatur për një muaj në Boeing, është bërë secilën herë e më e diskutueshme, pasi rreth 33.000 punëtorë kanë kërkuar paga më të mira.
Ndërkohë, agjencia për vlerësime kreditore S&P e ka futur Boeing-un në një grup që sinjalizon se vlera e aeroplanëve mund të zvogëlohet, nëse greva vazhdon.
Kompania veçse është duke u përballur me kritika, pas një incidenti në janar, kur një aeroplan i llojit 737-Max është detyruar të bëjë ulje emergjente, pak pas nisjes.
Askush nuk është lënduar, mirëpo shefi i atëhershëm i kompanisë, Dave Calhoun, ka thënë se kompania “e pranon gabimin e bërë”.