Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”. Ai tha se këto veprime janë marrë "në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës".
Reagimi i Blinken vjen pas aksioneve të Policisë së Kosovës në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.
"Këto veprime i kanë përshkallëzuar tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto veprime do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën.
Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë", tha Blinken.
Policia e Kosovës, të premten më 26 maj, ka hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së grupeve të qytetarëve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bombat, për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth tyre.
Më herët, të premten, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka theksuar se Shtetet e Bashkuara i “dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”, duke shtuar se “masat e dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”.