Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, është rruga e duhur dhe e vetme për dy vendet që të lëvizin përpara.
“Po bëjmë gjithçka të mundur për t’i mbështetur ato”, tha ai.
Kryediplomati amerikan i bëri komentet në një konferencë për gazetarë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Tiranë.
Ai tha se SHBA-ja do të punojë edhe me “Shqipërinë dhe të tjerët” për t’i ndihmuar Kosovën e Serbinë që të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Shtoi se vendi i tij e di se çfarë ka ndodhur në rajon 30 vjet më parë, ndaj “nuk mund të ketë përsëritje të saj”.
“Për këtë arsye jemi të angazhuar t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Blinken.
Blinken nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një vendim të autoriteteve në Kosovë, që ndaloi përdorimin e dinarit serb në vend, pas më shumë se dy dekadash.
Duke shprehur shqetësim për komunitetin serb në Kosovë, që prej vitesh merr pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, SHBA-ja i kërkoi Qeverisë së Kosovës që ta tërheqë atë, por kjo e fundit nuk u zmbraps.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha të enjten se vendimi për dinarin “e ka ndikuar cilësinë e marrëdhënieve” mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ngjashëm tha një ditë më herët edhe ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.
Rama, duke folur përkrah Blinkenit, tha se autoritetet e Kosovës nuk duhet të marrin asnjë hap pa u koordinuar me SHBA-në.
“Veprimet që nuk konsultohen dhe koordinohen mund të sjellin ndonjë votë, por nëse politika e jashtme kthehet në instrument të politikës së brendshme, nuk fitohet e ardhmja”, tha kryeministri shqiptar.
Sipas tij, SHBA-ja është “mbështetëse e palëkundur e procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të saj”.
“Është mirë që shqiptarët kudo që janë, duke nisur nga ata në Kosovë, të mos harrojnë asnjëherë se pa SHBA-në s’do të kishte shtet të pavarur të Kosovës”, tha Rama.
Ngjashëm, edhe ai i dha mbështetje dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe tha se pa mbështetjen dhe besimin e aleatëve strategjikë, “e ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja shumë më e ndërlikuar”.
Blinken, po ashtu , tha se Shqipëria është një forcë e stabilitetit rajonal dhe u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë atë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë është më i fuqishëm se kurrë. Kjo marrëdhënie është jetike për të adresuar shumë çështje të rëndësishme për popujt tanë”, tha sekretari amerikan i Shtetit.
Po sipas tij, Shqipëria është aleate kyçe e NATO-s dhe “një zë i fuqishëm” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai shtoi se Shqipëria, nga dita e parë, ka qenë mbështetëse e Ukrainës, e cila tash e dy vjet është nën pushtimin e plotë të Rusisë.
Gjatë ditës, Blinken u prit edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.