Ndërlidhjet

Bjellorusia e etiketon “ekstremist” kanalin e REL-it në Telegram


Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko
Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko

Një gjykatë bjelloruse e ka cilësuar si ekstremist kanalin e Telegramit të shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë.

Kjo gjykatë ka cilësuar si të tilla edhe disa llogari të rrjeteve sociale të shërbimit, si vazhdimësi e goditjes së mediave të pavarura dhe shoqërisë civile.

Kjo është nxitur nga lideri autoritativ Alyaksandr Lukashenko që pretendon se ka fituar zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar, zgjedhje këto që cilësohen nga opozita si të manipuluara.

Vendimi për të etiketuar si ekstremiste llogaritë e REL-it, përfshirë kanalin e Youtube, u bë nga Gjykata e Distriktit Qendror më tre dhjetor bazuar në informacionet e ofruara nga Drejtorati Kryesor për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të njohur si GUBOPiK.

Në një deklaratë, GUBOPiK tha se çdokush që abonohet në kanalet apo mediat e cilësuara si ekstremiste mund të përfundojë në burg apo të përballet me gjoba.

“REL me këmbëngulje e refuzon këtë etiketim qesharak”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly në një përgjigje ndaj këtij vendimi.

“Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë të ofrojmë lajme objektive dhe informacione për njerëzit bjellorusë, të cilët kanë nevojë për media të pavarura tani më shumë se kurrë. Regjimi i Lukashenkos vazhdon të bëjë të qartë se nuk vlerësojnë të vërtetën dhe se përpjekjet e tyre për të kufizuar qasjen në informacion të pavarur, nuk njohin kufi”, tha ai.

Autoritetet në Bjellorusi kanë deklaruar se qindra kanale të Telegramit, blogje dhe forume janë etiketuar si ektremiste që kur shteti është përfshirë nga protestat që nga zgjedhjet presidenciale në gusht të vitit 2020, që i dhanë Lukashenkos mandatin e gjashtë.

Si përgjigje ndaj kësaj, qeveria ka goditur fuqishëm lëvizjen pro-demokratike duke arrestuar mijëra persona dhe duke i larguar nga shteti figurat qendrore opozitare.

Ka pasur edhe raportime të besueshme për tortura dhe keqtrajtime si dhe disa persona kanë vdekur.

Uebsajti i Radios Evropa e Lirë është bllokuar brenda Bjellorusisë që nga 21 gushti i vitit 2020 ndërsa akreditimi i të gjithë gazetarëve lokalë që punojnë për media të huaja, përfshirë REL-in, u anulua nga autoritetet bjelloruse në tetor të vitit 2020.

Lukashenko që ka udhëhequr me shtetin që nga viti 1994 ka mohuar ndonjë mashtrim në zgjedhje dhe refuzon të negociojë me opozitën për tranzicion politik dhe zgjedhje të reja.

Perëndimi ka refuzuar të njohë Lukashenkon si liderin legjitim të Bjellorusisë dhe si përgjigje ka vendosur disa valë sanksionesh kundër qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë të akuzuar se kanë ndihmuar dhe përfituar nga goditja.

Më 2 dhjetor, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë kryesorë perëndimorë shtrënguan më tej sanksionet në përgjigje të një krize në krahun lindor të bllokut që Perëndimi akuzon Lukashenkon se e nxiti duke dërguar mijëra emigrantë kryesisht nga Lindja e Mesme në rajonin kufitar, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve.

Transportuesi kombëtar ajror i Bjellorusisë “Belavia” tha më 3 dhjetor se kishte shkurtuar flotën e saj përafërsisht në gjysmë për shkak të sanksioneve. Linja ajrore është akuzuar për fluturimin e emigrantëve në Minsk.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë tha më 3 dhjetor se "presioni i paprecedentë" i ushtruar ndaj saj mund ta shtyjë Minskun të hakmerret.

"Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur se të gjithë hapat jo miqësorë anti-Bjellorusi do të pasohen nga masat e duhura të reagimit. Raundi i ri i sanksioneve nuk bën përjashtim," tha ministria në një deklaratë.

Izolimi e ka bërë liderin bjellorus më të varur se kurrë nga Rusia, e cila analistët thonë se po përdor pozicionin e tij të dobësuar për të forcuar kontrollin e saj ndaj fqinjit më të vogël.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG