Ndërlidhjet

Tsikhanouskaya: Bjellorusët po përballen me agresionin rus dhe imperializmin


Udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, gjatë intervistës dhënë për REL-in më 25 mars 2024.
Udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, gjatë intervistës dhënë për REL-in më 25 mars 2024.

Udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, u bëri thirrje bashkëkombësve të saj që të ngrihen dhe të mbrojnë pavarësinë e shtetit të tyre në dritë të asaj që ajo tha se ishte “agresion rus dhe imperializëm”. Komentet e saj vijnë në kohën kur bjellorusët shënojnë Ditën e Lirisë në nder të përvjetorit të Republikës jetëshkurtër Popullore Bjelloruse, që zgjati për më pak se një vit më 1918.

“Ne jemi përballur me agresionin rus dhe imperializmin dhe duhet të qëndrojmë të fortë në mbështetje të pavarësisë së shtetit tonë”, tha Tsikhanouskaya gjatë një interviste dhënë në Pragë më 25 mars për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë.

“Ne duhet ta vazhdojnë me integritet dhe dinjitet punën e nisur nga paraardhësit tanë. Është e domosdoshme që kjo luftë të mos zgjasë pafundësisht, duke lejuar brezit tonë të ruajë pavarësinë dhe sovranitetin tonë”, tha ajo.

Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, që është në pushtet që nga viti 1994, është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ka lejuar përdorimin e territorit bjellorus dhe instilacioneve ushtarake për pushtimin rus të Ukrainës.

Rusia dhe Bjellorusia më 1999 po ashtu krijuan të ashtuquajturin bashkim të shtetit, një trup mbikombëtar i përbërë nga dy shtetet, me synimin e shpallur që eventualisht të dyja shtetet të bashkoheshin. Megjithatë, Lukashenka ka shtyrë zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.

Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë gjatë zgjedhjeve të gushtit të vitit 2020. Përderisa rezultatet zyrtare ia dhanë Lukashenkas fitoren, opozita dhe shumë qeveri perëndimore dhe organizata thanë se votimet u manipuluan dhe se Tsikhanouskaya, e cila garoi për presidente pasi zuri vendin e burrit të saj pas arrestimit të tij, në fakt kishte fituar zgjedhjet.

Burri i saj, Syarhey Tsikhanouski, u arrestua para zgjedhjeve për t’ia ndaluar atij regjistrimin si kandidat. Ai është dënuar më 2021 me 18 vjet burgim për nxitje të trazirave masive, nxitje të urrejtjes shoqërore, pengim të aktiviteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizim të aktiviteteve për pengim të rendit shoqëror. Të gjitha këto akuza ai dhe mbështetësit e tij i kanë hedhur poshtë dhe i kanë cilësuar si të motivuara politikisht.

Pas zgjedhjeve, Lukashenka shtypi ashpër disidentët dhe shoqërinë civile, duke arrestuar qindra persona dhe duke detyruar shumicën e figurave opozitare të shtetit, përfshirë Tsikhanouskayan, që të largohen nga shteti për shkak të frikës për sigurinë dhe lirinë e tyre.

Tsikhanouskaya po ashtu shprehu mbështetje të fuqishme për Yulia Navalnaya, të venë e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta. Navalnaya është zotuar se do të vazhdojë punën e burrit të saj.

“E kuptoj që ne kemi shumë ngjashmëri. Burri im është i burgosur politik dhe Yulia ka përjetuar një tragjedi”, tha Tsikhanouskaya.

“Ajo është një grua jashtëzakonisht e fortë dhe shpresoj që të mund të bashkojë popullin rreth vetes, veçmas opozitën, në mënyrë që të mos humbë kontaktin me rusët dhe të jetë në gjendje t’iu tregojë se ajo para së gjithash punon për ta”, shtoi ajo.

Tsikhanouskaya tha se do të ishte vitale për opozitën ruse të qartësojë se ata “do të hiqnin dorë nga ambiciet e tyre imperialiste, të respektojnë kufijtë tanë dhe të mbështesin aspiratat tona evropiane”, duke shtuar se ajo beson që Navalnaya “ka potencialin që të arrijë këtë, e mbështetur nga një ekip i fuqishëm, por thelbësore për të është që të krijojë lidhje me popullin”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG