Regjimi i udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të ulë numrin e stafit të ambasadës amerikane në Minsk.
Kërkesa vjen si një përgjigje ndaj raundit të fundit të sanksioneve amerikane ndaj këtij vendi. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë, Anatol Hlaz, tha në një intervistë që u publikua në faqen e internetit të ministrisë më 11 gusht se Minsku gjithashtu ka tërhequr pëlqimin ndaj emërimit të Julie Fisher si ambasadore e SHBA-së në Bjellorusi.
“Ne marrim parasysh humbjen e besimit në administratën aktuale amerikane dhe si pasojë pezullojmë bashkëpunimin në të gjitha projektet, grantet dhe programet e reja të koordinuara nga qeveria amerikane derisa një besim i tillë të kthehet", tha Hlaz.
Zyrtari bjellorus tha se Minsku rezervon të drejtën edhe për masa shtesë në të ardhmën.
Fisher, ambasadorja e parë amerikane në Bjellorusi që nga viti 2008, u konfirmua nga Senati në dhjetor të vitit 2020. Ajo nuk ishte në gjendje të shkojë në Minsk për të ushtruar pozitën pasi qeveria bjelloruse i ka mohuar asaj vizën.
Bjellorusia publikoi informacionin për masën ndaj SHBA-së dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kanadaja shpallën sanksione të reja tregtare dhe financiare ndaj Bjellorusisë.
Sanksionet u vendosën në përvjetorin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat Alyaksandr Lukashenka pretendon se i ka fituar.
Vendet perëndimore nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve.
Brenda Bjellorusisë, që nga përfundimi i zgjedhjeve, janë mbajtur protesta masive nga ana e opozitës, të cilat janë shtypur me dhunë nga regjimi i Lukashenkas. Mijëra aktivistë dhe pjesëtarë të opozitës janë burgosur ose dëbuar.
Lukashenka po e sundon me grusht të hekurt Bjellorusinë që nga viti 1994.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera e kanë goditur me disa raunde sanksionesh Lukashenkën, rrethin e tij të ngushtë dhe kompanitë bjelloruse. Kjo ka bërë që Bjellorusia të izolohet në skenën ndërkombtare, duke u bërë me e varur se kurrë nga mbështetja ruse.