Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur mbështetje të fuqishme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai ka biseduar përmes telefonit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi tha se Biden shprehu mbështetjen e tij të fortë për vazhdimin e pranimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të dy udhëheqësit kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin SHBA-BE, pandeminë e COVID-19 si dhe kanë adresuar çështjen e marrjes së hapave për të adresuar krizën klimatike.
Mbështetja e presidentit Biden vjen një ditë para se liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajnë samitin e tyre në Bërdo afër Kranjit në Slloveni.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës që do të miratohet në këtë samit. Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.
Sikur edhe në deklaratat e mëhershme nga samitet e tilla edhe kësaj radhe do të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve tjera të cilat janë parime themelore të BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen javën e kaluar zhvilloi një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai shprehu mbështetje për integrimin e këtyre vendeve në BE.