Ndërlidhjet

Biden bën thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur amerikanë


Alsu Kurmasheva në një sallë gjyqi në Rusi, 1 prill 2024.
Alsu Kurmasheva në një sallë gjyqi në Rusi, 1 prill 2024.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë gazetarëve, përfshirë Alsu Kurmashevën e Radios Evropa e Lirë dhe Evan Gershkovichin e The Wall Street Journal, të cilët janë arrestuar në Rusi për akuza që ata, punëdhënësit e tyre dhe mbështetësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.

“Gazetaria nuk duhet të jetë krim askund në botë”, tha Biden në një komunikatë për shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj.

“Në Rusi, gazetarët amerikanë Alsu Kurmasheva dhe Evan Gershkovich, janë paraburgosur në lidhje me punën e tyre për Radion Evropa e Lirë dhe The Wall Street Journal”, tha Biden.

Kurmasheva - gazetare e REL-it me bazë në Pragë e cila mban dyshtetësi, amerikane dhe ruse - po mbahet në paraburgim në Rusi prej 18 tetorit, për gjoja shkeljen e të ashtuquajturit ligjin për “agjentët e huaj”.

Kritikët dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se Kremlini e përdor këtë ligj për ta luftuar çdo kundërshtim.

Kurmasheva, 47 vjeçe, akuzohet edhe për përhapjen e dezinformatave për ushtrinë ruse dhe përballet me burgim deri në 10 vjet, nëse shpallet fajtore.

REL-i dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e REL-it.

Gershkovich, gazetar i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, është në paraburgim më shumë se një vit në Rusi, nën akuzat për spiunim.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar të dhëna që mbështesin akuzat e tyre për spiunazh, të cilat Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane, i kanë hedhur poshtë.

Ato deklarojnë se Gershkovich ka qenë duke e bërë punën e tij dhe ka qenë i akredituar si gazetar në kohën kur është arrestuar.

Moska është akuzuar gjithashtu edhe për paraburgosjen e amerikanëve për t’i përdorur ata pastaj për shkëmbim me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të të gjithë gazetarëve, të cilët janë burgosur thjesht sepse po bënin punën e tyre”, tha Biden.

Biden tha se administrata amerikane do të njoftojë së shpejti për hapa konkretë si përgjigje ndaj arrestimit të jashtëligjshëm të gazetarëve në gjithë botën, duke e cilësuar si “kërcënim serioz” shtypjen e lirisë së medias për sigurinë kombëtare të Amerikës.

“Do të autorizoj masa, përfshirë sanksione dhe regjim vizash kundër atyre të ndërmarrin veprime abuzive për ta heshtur shtypin”, tha Biden.

XS
SM
MD
LG