Ndërlidhjet

Kryetarët e rinj zotohen se do të punojnë në të mirë të qytetarëve


Kryetarët shqiptarë marrin pushtetin lokal në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Kryetarët shqiptarë marrin pushtetin lokal në veri

Kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit - komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës - bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

Të tre ata u zotuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke respektuar ligjin.

"Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet", tha kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

"Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im", tha ai pas betimit.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa ceremonia për Ilir Pecin në Zveçan u zhvillua në shkollën fillore "Isa Boletini", në fshatin Boletin të kësaj komune.

"Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit", tha Peci.

Betimin e bëri të enjten edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në objektin e shkollës fillore "Kadri Bistrica" në fshatin Bistricë të kësaj komune.

Ai tha se, aktualisht, do ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë në këtë fshat, por, sipas tij, "është afër dita" kur do të shkojë në komunë.

"Ne do të shkojmë me qeveri aty [te objekti i komunës], ku kemi fituar, sepse nga këtu nuk ushtrohet detyra e kryetarit... Nëse nuk mundemi, do të shkojmë në zgjedhje prapë", tha Hetemi.

Ai, po ashtu, njoftoi se nënkryetare e Komunës së Leposaviqit do të jetë Dragana Milletiq e komunitetit serb, ndërsa kryetar i Asamblesë, Gorski Buriq, gjithashtu nga komuniteti serb.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua më 19 maj.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe - që të gjithë shqiptarë - kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre - që të gjithë nga Lista Serbe - kanë dhënë dorëheqje.

Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t'i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t'i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, "represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve".

Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, "përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor" me "të gjitha mjetet".

Simiq nuk ka specifikuar më shumë.

Reagimet nga Beogradi

Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Duke nënvizuar se "ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë", presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është përpjekje për "presion mbi serbët" që "të largohen nga shtëpitë e tyre".

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur
"pushtim" ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre, "Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë".

As Vuçiq, as Petkoviq nuk kanë ofruar asnjë provë që do t'i mbështeste pretendimet e tyre.

Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve "që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG