Ndërlidhjet

Bislimi: Raporti i KE-së konstatoi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi


Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Raporti i Progresit për Serbinë i Komisionit Evropian ka konstatuar se ky shtet shkel të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

“Në raport theksohet se korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave mbetet e paplotë dhe se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave”, shkroi Bislimi në rrjetet sociale.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, të publikuar më 4 nëntor, në pjesën për mbrojtjen e minoriteteve thuhet se “pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrenë shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara”.

“Duhet që autoritetet t’ia shpjegojnë më mirë publikut se si këto kontrolle kryen dhe të adresojnë shqetësimet e shprehura lidhur me mungesën e raportuar të mjeteve efektive të ankimimit”, thuhet në Raport.

Sipas Bislimit, tani “po dëshmonte se praktikat [e pasivizimit të adresave] përbëjnë artikulim të politikave që synim kanë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative”.

Qeveria e Kosovës, por edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, viteve të fundit vazhdimisht kanë denoncuar atë që e cilësojnë si pasivizim i adresave. Madje për këtë çështje ka pasur edhe protesta.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Çështja e pasivizimit të adresave është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

“Ky pasivizim i cili është duke u bërë për vite me radhë, është shumë e rëndësishme që më në fund BE-ja ka pranuar që ta reflektojë dhe bëjë pjesë të vlerësimeve përfundimtare të raportit zyrtar të Komisionit Evropian, duke vendosur theks në kontrollimin e procedurave të pasivizimit”, tha Bislimi.

Po ashtu, në pjesën për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Raportit të Progresit për Serbinë thuhet se plani i veprimit “për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione ende nuk ka prodhuar rezultatet e duhura”.

“Pakicat kombëtare vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësurara në administratën publike dhe në polici”, u tha në Raportin e Progresit për Serbinë.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se shteti do të vazhdojë të ngrehë çështjen e shqiptarëve në jug të Serbisë në çdo nivel ndërkombëtar, derisa të drejtat e tyre të garantohen plotësisht.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Në korrik të këtij viti, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e dorëzoi në këtë institucion një draft-rezolutë për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke kërkuar që kjo temë të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo draft-rezolutë bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013, dhe për pezullim të menjëhershëm të masave administrative për pasivizim të adresave.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG