Besimtarët e krishterë dhe ortodoksë në mbarë botën kremtojnë festën e Pashkëve të dielën. Papa Françesku pritet të marrë pjesë në festimet për Pashkë në Vatikan të dielën, vetëm disa javë pasi doli nga spitali ku u trajtua për pneumoni.
Ati i Shenjtë kishte qëndruar në spital për 38 ditë.
Afër 300 kardinalë, ipeshkvij dhe priftërinë do të marrin pjesë në meshën e Pashkëve të dielën në Vatikan, në festën kur besimtarët përkujtojnë ringjalljen e Jezu Krishtit.
Në Vatikan pritet të ketë turma më të mëdha se zakonisht për shkak të Jubileut, “Vitit të Shenjtë” në Kishën Katolike që ndodh çdo çerekshekulli dhe tërheq mijëra pelegrin në Vatikan.
Kardinali italian, Giovanni Battista Re, udhëhoqi meshën solemne të Pashkëve të shtunën mbrëma në bazilikën e Shën Pjetrit, në vend të Papa Françeskut. Papa është urdhëruar nga mjekët që të pushojë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe ai mori pjesë vetëm në një ngjarje gjatë Javës së Shenjtë, kur vizitoi një burg në Romë.
Besimtarët në Kosovë po ashtu po kremtojmë Pashkët. Të shtunën mbrëma, besimtarët morën pjesë në meshën solemne të Pashkëve në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Mesha u udhëhoq nga ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për paqe dhe pajtim në mbarë botën. Ndërkaq, mesha e Pashkëve do të mbahet në po këtë katedrale në dielën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët e krishterë dhe ortodoksë për festën e Pashkëve.
“Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.
Pashkët e këtij viti përkojnë në të njëjtin fundjavë si në degët katolike dhe protestante të krishterimit, që ndjekin kalendarin gregorian, ashtu edhe në degën ortodokse, e cila ndjek kalendarin julian.