Ndërlidhjet

U.D. i Kryeprokurorit mohon bashkëpunimin me gjykatësen serbe për Reçakun


Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit i Kosovës, Besim Kelmendi.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit i Kosovës, Besim Kelmendi.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit i Kosovës, Besim Kelmendi, i mohoi të mërkurën raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.

Atëbotë, Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar".

Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë.

Kelmendi konfirmoi në një konferencë të jashtëzakonshme për media se gjatë ditës së mërkurë është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra.

Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.

Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

Deklarimet e tij vijnë pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t'i verifikojë pretendimet e këtij mediumi.

“Kurrë në jetën time, deri në vitin 2001 nuk kam qenë në Reçak, s’kam qenë gjyqtar, prokuror, as hetues para vitit 2000 kur jam zgjedhur për herë të parë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. E kisha fatin të jem gjyqtar, bashkë me dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një prokuror ndërkombëtar në rastin e Reçakut, ku është akuzuar një pjesëmarrës në kryerjen e vrasjeve të Reçakut dhe i cili falë kontributit tim është shpallur fajtor dhe ka aktgjykim të formës së prerë. Ky aktgjykim ka shërbyer si provë në gjykimin ndaj kasapit të Ballkanit, Sllodoban Millosheviq”, tha Kelmendi, duke iu referuar ish-liderit serb.

“Të lexoj sot një gënjeshtër se Besim Kelmendi ishte në anën serbe në ditën e masakrës së Reçakut, kur është bërë vendshikimi, është turp i madh, gënjeshtër”, tha mes tjerash Kelmendi.

Mediumi Paparaci i ka cilësuar deklaratat e Kelmendit si sulm, dhe e ka potencuar që Kelmendi nuk e ka mohuar se ka punuar në gjykatë në atë kohë.

Kelmendi u pyet edhe pse u ftua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.

“Jam thirrur si dëshmitar sepse një person, që ka qenë prokuror në atë kohë, me emrin Ismet Shufta, kur e kanë pyetur se kush ka punuar në Gjykatë, ai ka përmendur emrat e njerëzve që i kanë rënë ndërmend. I kishte rënë në mend edhe emri im sepse sot jam U.D. i Kryeprokurorit. Nuk e di pse, sepse s’kam marrë asnjë arsyetim”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se është i gatshëm të shkojë sërish në Prokurori për këtë rast.

“Unë sot e kam përfunduar deklaratën në Prokurorinë Speciale, por i kam thënë prokurorit të rastit sa herë që është nevoja – sepse unë i kam disa çështje që do të ndihmojnë në gjykimin e Reçakut, kam aktgjykime ku unë kam marrë pjesë dhe çfarë sjellje ka pasur dikush në atë kohë në këtë proces – dhe të gjitha i kam dorëzuar në Prokurorinë Speciale”.

Kelmendi tha se nëse vërtetohet se ai ka qenë në Reçak në janar të vitit 1999 - sikurse pretendon mediumi Paparaci - ai do të japë dorëheqje.

Për Reçakun

Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje.

William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG