Ndërlidhjet

Shqipëria bën thirrje për lirimin e tre policëve të Kosovës


Kuvendi i Shqipërisë. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Shqipërisë. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar mëngjesin e së enjtes për arrestimin e tre policëve të Policisë së Kosovës për të cilët Prishtina zyrtare thotë se janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Begaj e cilëson ngjarjen akt të rëndë provokativ, që synon destabilizim, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit.

“E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme”, shkruan Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar i bëri thirrje Kosovës që të mos bjerë pre e provokimeve, por të kontriubojë për uljen e tensioneve.

“Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, thotë Presidenti i Shqipërisë.

"Ulja e tensioneve të ketë prioritet"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ashtu, ka bërë thirrje që zyrtarët policorë të lirohen sa më shpejt që është e mundur dhe që ulja e tensioneve duhet të ketë prioritet.

“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar te lirimi i tyre”, ka thënë Rama përmes një postimi në Twitter.

Mes tjerash, Rama ka thënë se nuk duhet të ketë “asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në veri”.

Policia e Kosovës e ka arrestuar më 13 qershor Millun Millenkoviq – Llunen, i cili dyshohet të kenë lidhje me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut në dhjetorin e kaluar dhe gjatë përleshjes mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj të këtij viti.

"Mbështesim Kosovën, por jo kur e ka gabim"

Edhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka kërkuar që Serbia t’i lirojë sa më shpejt tre zyrtarët policorë të Kosovës.

"Kapja e tre policëve në veri të Kosovës nga ushtria serbe, e ndërlikon akoma më shumë situatën. Kam komunikuar me komandantin e KFOR-it dhe jemi në pritje të përfundimit të hetimeve. Në bisedën që pata me komandantin e KFOR-it, ai ma bëri të qartë, që raporti që prodhohet, ndahet vetëm me NATO-n dhe që si vend anëtar i NATO-s, por jo vetëm, si vend që e ka Kosovën interes kombëtar, gjysmën e kombit të vet, Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv, të vetmin qëndrim në fakt, që e shtensionon situatën dhe e mbështet realisht Kosovën”, ka thënë ajo në një fjalim para Parlamentit të Shqipërisë.

Sipas saj, Kosova duhet të tregojë maturi në këtë situatë.

"Jemi të shqetësuar pasi aleatët e partnerët e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë te Kosova. Kjo dobëson në mënyrë shqetësuese pozitat e Kosovës në sytë e SHBA-së dhe BE-së. Deklaratat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe. Ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë, pasi vetëm sa do të përshkallëzonte më shumë situatën. Do të dëmtonte mbi të gjitha vetë Kosovën dhe rajonin ekonomikisht, por edhe në sytë e aleatëve”.

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tha se kishte kërkuar një takim në një format më të ngushtë me homologun kosovar, Albin Kurti.

Ai tha se mbetet në pritje të reagimit të Kurtit për një takim mes tyre, ndërsa paralajmëroi se “një plan i frikshëm sanksionesh është gati për t’u zbatuar ndaj Kosovës”.

Deputetët e opozitës në Shqipëri, e kanë cilësuar të turpshme anulimin e takimit mes dy qeverive, dhe kanë thënë se me këto qëndrime, kryeministri Rama po e dëmton Kosovën.

Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.

Këto zhvillime shihen si pikë e ulët në raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG