Ndërlidhjet

BE-ja me mision vëzhgues për zgjedhjet e shkurtit në Kosovë


Flamuj të BE-së.
Flamuj të BE-së.

Bashkimi Evropian do ta dërgojë një mision për t’i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 9 shkurt të vitit 2025, me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi blloku evropian të premten.

“Duke iu përgjigjur ftesës nga ana e presidentes së Kosovës, përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas ka vendosur ta dërgojë një mision vëzhgues (EOM) për t’i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në caktuara për 9 shkurt 2025”, thuhet në njoftim

Nathalie Loiseau, deputete e Parlamentit Evropian, është emëruar shefe e misionit vëzhgues, thuhet në njoftim.

BE-ja tha se misioni i saj vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë do ta dëshmojë mbështetjen e vendosur të BE-së për Kosovën në përpjekjet e saj për të forcuar më tej qeverisjen demokratike.

“Prania e këtij misioni në terren ka për qëllim të kontribuojë për një proces zgjedhorë gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, i cili do t’u mundësojë votuesve në Kosovë që të shprehin qartë zgjedhjen e tyre”, thuhet në njoftim.

Bashkimi Evropian i ka vëzhguar të gjitha zgjedhjet në Kosovë që nga viti 2013.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG