Një ministër që drejton përpjekjet e Presidencës çeke të Bashkimit Evropian për të përballuar çmimet e larta të energjisë, thotë se Këshilli i Energjisë i BE-së do të debatojë dy propozime në takimin në fund të kësaj jave.
Republika Çeke më 29 gusht ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë të BE-së.
Roli mbizotërues i Rusisë si furnizuese e energjisë për BE-në ka ngritur shqetësimet se Moska mund t'i kufizojë furnizimet gjatë dimrit si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të BE-së të vendosura për të ndëshkuar Rusinë për luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës.
Ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela, tha më 6 shtator se njëri opsion parashikon ndarjen e çmimit të gazit nga çmimi i ngarkuar nga termocentrali që konverton gazin në energji elektrike, dhe kështu vendos çmimin për konsumatorët në mënyrë që "çmimet e larta të gazit që janë objekt i luftës energjetike të mos ndikojnë në çmimet e energjisë elektrike”.
Ai tha se propozimi tjetër alternativ kërkon të vendosë çmime maksimale për prodhimin e gjithë elektricitetit, përveç atij që kërkon gaz - pra duke kufizuar në thelb çmimin e energjisë nga karburanti bërthamor, qymyri dhe burimet e ripërtritshme.
Çekët synojnë të prodhojnë një dokument deri më 7 shtator, i cili paraqet pikëpamjet e 27 vendeve anëtarëve të BE-së mbi propozimet.
Që kur samiti G7 dhe liderët e tjerë perëndimorë ngritën idenë e një kufiri çmimi për importet e gazit rus, Moska ka kërcënuar vazhdimisht me ndërprerje, përtej pezullimeve të gazit.
Pse çmimet janë të larta?
Kompanitë e energjisë paguajnë çmimin e shumicës kur blejnë gaz dhe elektricitet që më pas ua shesin konsumatorëve. Si në çdo treg, çmimet rriten dhe ulen, dhe lëvizja e çmimeve nxitet nga furnizimet dhe kërkesa.
Zakonisht, çmimet rriten gjatë dimrit në përgjigje të kërkesës më të lartë për ngrohje dhe elektricitet, ndërkaq bien gjatë verës.
Çmimet nisën të rriten përtej normave normale shtatorin e kaluar dhe që atëherë janë rritur edhe më shumë për shkak të pengesave në furnizim që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.