Ndërlidhjet

BE-ja do të prezantojë “plan të konsoliduar” për zbatimin e propozimit


Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel më 27 shkurt 2023.
Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se pala evropiane ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Ne do të flasim nesër [18 mars] dhe do të bëjmë një version të konsoliduar të aneksit, bazuar në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha Borrell.

Diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim e raporteve, do të zhvillohen gjatë takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Takimi i përbashkët do të ndërmjetësohet nga Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në takim, në cilësinë e vëzhguesit do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell theksoi se po shkon në Ohër duke shpresuar se do të ketë një shans unik që Kosova dhe Serbia të ecin përpara dhe të bëjnë përparim në normalizimin e raporteve.

“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do të vendosim një marrëdhënie të qëndrueshme, afatgjatë, të orientuar drejt së ardhmes, duke tejkaluar menaxhimin e përhershëm të krizave, që kemi bërë muajt e fundit. Kjo do të ketë një ndikim pozitiv në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe në forcimin e stabilitetit të rajonit. Shpresojmë se do të krijojmë një dinamikë dhe mundësi të re për zgjerim, që do të jetë e dobishme për të gjithë rajonin”, tha Borrell.

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG