Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e BE-së.
Von der Leyen po mban të mërkurën fjalimin vjetor për gjendjen e BE-së, në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Ajo përsëriti qëndrimin e bllokut për procesin e zgjerimit dhe, siç tha, rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për të ardhmen e BE-së.
“Investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian”, tha ajo dhe shtoi se për këtë qëllim, BE-ja është duke zbatuar plane të veçanta për investime në vendet e rajonit.
Von der Leyen paralajmëroi se para fundit të këtij muaji do të udhëtojë në rajon, për të dërguar sinjalin e fortë për vazhdimin e procesit të zgjerimit.
Nga Komisioni Evropian thanë se Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor më 28-30 shtator, por nuk saktësuan se cilat vende do t’i vizitojë ajo.
Kjo vizitë do të zhvillohet para samitit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë.
Von der Leyen foli edhe për masat që ka ndërmarrë BE-ja prejse ka nisur pandemia e koronavirusit, duke përmendur, siç tha, suksesin e bllokut në vaksinim, ndihmën me vaksina për vendet e tjera dhe miratimin e planit për t’iu ndihmuar shteteve anëtare për rimëkëmbje ekonomike.
Ajo foli edhe për krizën në Afganistan, duke premtuar rritjen e ndihmës humanitare të BE-së për qytetarët e këtij shteti, i cili, muajin e kaluar, ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë.
Gjatë debatit në Parlamentin Evropian, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar, vendi i të cilit kryeson me BE-në, konfirmoi se zgjerimi i bllokut evropian dhe Ballkani Perëndimor janë prioritete dhe se këto do të jenë tema të samitit të BE-së, që do të mbahet në Slloveni në muajin tetor.