Ndërlidhjet

Kreditë për pushime e Bajram, varfërojnë buxhetet familjare


Ilustrim
Ilustrim

Ka vazhduar edhe sivjet tradita e bankave komerciale në Kosovë për lansimin e ofertave të ndryshme për kredi të shpejta, të cilat ndërlidhen me festat fetare apo edhe festa tjera.

Disa qytetarët ofertat për këtë produkt i konsiderojnë mashtrim dhe përfitim për vetë bankat. Njëri nga ta është Arben Berisha, punonjës në sektorin publik.

“Nuk është mirë që për festën e Bajramit, bankat të japin kredi, sepse kamatat janë të larta, kjo nuk është kredi. Kjo është sikur me marrë para me fajde”, thotë Berisha.

Nisur, sidomos nga ofertat për kredi për festën e Bajramit apo ato për pushime veriore, Sadat Kiçmari, ekonomist me profesion, i cilëson ato si përpjekje për joshje sa më të mëdha të klientëve për të hyrë në obligime financiare ndaj bankave të caktuara.

“Bankat nuk mendojnë për interesin e qytetarëve. Normat janë shumë të larta, në çdo aspekt, nëse analizohet kredia, norma del më e lartë se sa që thuhet në bankë”, shprehet Kiçmari.

Praktika e dhënies dhe marrjes së kredisë për festa të Bajramit dhe për pushime, është e pakuptimtë thonë ekspertë për çështje financiare.

Milazim Abazi, ekspert për këtë çështje, thotë për Radion Evropa e Lirë se bankat përfitojnë nga ky produkt, por në anën tjetër, buxheti i familjeve vështirësohet.

“Marrja e kredisë për festën e Bajramit apo për pushime verore është e pakuptimtë dhe e panevojshme për qytetarët, pasi kjo do të ngarkojë buxhetin familjar. Mirëpo, kjo është atraktive për bankat, pasi kreditë e vogla dhe të shpejta kanë interesin e lartë”, vlerëson Abazi.

Tradita e bankave për dhënien e kredive të shpejta, nënvizon Abazi, nënkupton gjendjen e rëndë sociale të qytetarëve.

Ai thotë se pagat e ulëta në sektorin privat dhe publik, nuk mundësojnë kursime, nga të cilat qytetarët do të paguanin për pushime apo edhe festa të ndryshme.

“Në Kosovë, kosto e jetesës është shumë e shtrenjtë, sidomos për qytetarët që punojnë në sektorin privat, të cilët kanë paga më të ulëta. Andaj, kjo i detyron qytetarët që për një shpenzim me vlerë shumë të vogël, t’u drejtohen bankave”, thekson Abazi.

Edhe në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se pak më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake.

Kurse, 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

Sidoqoftë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 2. 2 miliardë euro ka arritur vlera e kredive në 10 bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, me kamata të interesit mbi 8 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Sektori bankar në Kosovë, llogaritet sektori më fitim-prurës, i cili pothuajse për çdo vit rezulton me performancë të qëndrueshme.

Edhe niveli i kredive joperformuese në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, ende mbetet më i ulëti në rajon.

Kjo, sipas ekspertëve të ekonomisë, ndodh për shkak se kriteret për dhënien e kredive mbesin shumë të vështira, sidomos për ata qytetarë që punojnë në sektorin privat.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG