Ndërlidhjet

Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut

E përditësuar

Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, i cili u ndërpre dje pas raportimeve për parregullsi.

Prokuroria tha se vendimin e mori pasi kompania sllovene CETIS, mori përgjegjësinë për një gabim në printimin e fletëvotimeve.

Ajo tha se kompania “ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”.

Prokuroria tha se ka caktuar dy policë hetues për të vëzhguar procesin e rinumërimit “për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve”.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se procesi rifilloi në orën 16:00.

Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës tha se ka kryer një hetim lidhur me pretendimet se zyrtarët policorë kishin ndërmarrë veprime hetimore në Qendrën Komunale të Numërimit pa autorizimin e prokurorit.

Hetimi fillestar ka gjetur, sipas njoftimit, se zyrtarët policorë që kanë reaguar dhe kanë hyrë në atë qendër, i kanë shpërfillur disa nga procedurat e parapara me planin operativ të policisë për këtë proces zgjedhor.

“IPK do të ndërmarr edhe veprime të tjera në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë e Shtetit duke përfshirë edhe konsultat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Çfarë ndodhi?

Prokuroria, fillimisht, urdhëroi ndaljen e numërimit të votave të garës së balotazhit për Mitrovicën e Jugut, pas parregullsive të raportuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës, më pas, sqaroi se bëhet fjalë për një gabim teknik nga kompania sllovene që ka shtypur fletëvotimet.

Fituesit dhe humbësit: Çka ndryshuan zgjedhjet lokale? Fituesit dhe humbësit: Çka ndryshuan zgjedhjet lokale?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:35 0:00

KQZ-ja pohoi se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve për Mitrovicën e Jugut dhe Gjakovën u gabua në shtypjen e kodit të vendvotimit.

Më vonë gjatë ditës së martë, KQZ-ja bëri të ditur se e ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania përgjegjëse, CETIS, lidhur me disa gabime të evidentuara në disa fletëvotime në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

KQZ-së i është thënë se kompania ka zhvilluar hetim të plotë dhe që përgjatë procesit është kuptuar që “problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.

“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e kompanisë.

KQZ-ja tha se e njoftoi Prokurorinë e Shtetit për këtë përgjigje.

Ankesa e PDK-së

Dyshimet për manipulim me vota u ngritën nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila, sipas rezultateve të para, e humbi garën për kryetar në Mitrovicë të Jugut me kandidatin e saj, Arian Tahiri, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, tha se PDK-ja do të ankohet për këtë rast në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se me dyshimet e ngritura, PDK-ja po mundohet të shfajësohet për dështimin e saj.

“Kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, shkroi Murati i LVV-së në Facebook.

Rezultati i balotazhit në Mitrovicë të Jugut e nxori fitues Pecin me 53.47% të votave, kurse Tahiri mori 46.53% të votave, me një diferencë prej 2 mijë e 315 votash.

Para se të shfaqeshin dyshimet në lidhje me votat në balotazhin për Mitrovicën e Jugut, kandidati i PDK-së kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe i kishte uruar fitoren kundërkandidatit të tij nga LVV-ja.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG