Vetëm një pasagjer i ka mbijetuar rrëzimit të avionit të Air India, që la të vdekur të paktën 241 persona të tjerë që ishin në bord, tha kompania ajrore.
Zyrtarët shëndetësorë në Indi thanë se i mbijetuari kishte dalë jashtë avionit kur ai ishte përplasur.
Avioni ishte nisur drejt Londrës dhe u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga aeroporti në qytetin perëndimor të Indisë, Ahmedabad, të enjten.
Një mjek në Spitalin Civil të Ahmedabadit tha se i mbijetuari është Vishwashkumar Ramesh, teksa një ministër i Indisë tha se e ka takuar të mbijetuarin.
"Ai ishte i çorientuar dhe kishte disa plagë në gjithë trupin", tha mjeku Dhaval Gameti, i cili ka mjekuar Rameshin. "Por, ai duket se është jashtë rrezikut", shtoi ai për Associated Press.
Një tjetër mjek tha se Ramesh u tha atyre se sapo avioni nisi fluturimin, nisi të bjerë poshtë dhe u nda në dysh. I mbijetuari u tha mjekëve se ai ishte hedhur nga avioni, pasi ai u nda në dysh, dhe më pas kishte dëgjuar një shpërthim.
Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar, tha Air India, ndërsa oficerët e policisë thanë se ai u rrëzua në një zonë civile pranë aeroportit.
Reuters ka raportuar më herët se në mesin e 242 udhëtarëve ishin 217 të rritur dhe 11 fëmijë. Nga këta, 169 ishin shtetas indianë, 43 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez.
Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar24, avioni ishte Boeing 787-8 Dreamliner, një nga avionët e udhëtarëve më modernë në përdorim.
“Në këtë çast po e verifikojmë hollësitë dhe do të njoftojmë për to”, tha Air India në platformën X.
Sipas kanaleve televizive, avioni u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Një kanal shfaqi pamjet e avionit duke fluturuar mbi një zonë banimi, përpara se të zhdukej nga ekrani dhe një re e madhe zjarri të ngrihej në qiell përtej shtëpive.
Sipas kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Ahmedabad, avioni u nis në orën 13:39 me kohën lokale nga pista 23. Ai bëri një thirrje emergjente “Mayday”, por më pas nuk u dëgjua asnjë përgjigje nga avioni.
Flightradar24 tha gjithashtu se sinjali i fundit nga avioni u mor disa sekonda pas ngritjes.
“Avioni i përfshirë është një Boeing 787-8 Dreamliner me regjistrim VT-ANB,” u tha në deklaratë.
Zyra e ministrit indian të Aviacionit tha se kryeministri Narendra Modi kishte urdhëruar që të ofrohet menjëherë gjithë mbështetja për përpjekjet e shpëtimit.
Të gjitha agjencitë përkatëse janë në gjendje gatishmërie dhe po punojnë në mënyrë të koordinuar, shtoi zyra e ministrit të Aviacionit.
Ahmedabad është qyteti kryesor në shtetin Gujarat, vendlindja e Modit.
Aeroporti i Ahmedabad njoftoi se ka pezulluar të gjitha operacionet ajrore me efekt të menjëhershëm.
Aksidenti i fundit ajror në Indi ndodhi në vitin 2020 dhe përfshiu kompaninë Air India Express.
Avioni Boeing-737 doli jashtë një piste në Aeroportin Ndërkombëtar Kozhikode në Indinë jugore. Ai rrëshqiti jashtë pistës, ra në një humnerë dhe u përplas me pjesën e përparme në tokë.
Në atë aksident humbën jetën 21 persona.
Air India, e cila më parë ishte në pronësi shtetërore, u ble nga kompania indiane Tata Group në vitin 2022 dhe u bashkua me Vistara – një ndërmarrje e përbashkët mes këtij grupi dhe Singapore Airlines – në vitin 2024.
Tata njoftoi se ka aktivizuar një qendër emergjente dhe ka ngritur një ekip mbështetës për familjet që kërkojnë informacion.