Ndërlidhjet

Autoritetet gërmojnë në Zubin Potok për mbetje të dyshuara mortore të të zhdukurve në luftë

Shiriti i Policisë afër vendit ku po kryhen gërmime në Kalludër të Zubin Potokut. 29 korrik 2026.
Shiriti i Policisë afër vendit ku po kryhen gërmime në Kalludër të Zubin Potokut. 29 korrik 2026.

Autoritetet kosovare kanë kryer gërmime të martën në një fshat në veri të vendit pas dyshimeve për një varrezë me mbetje mortore që ata thonë se besohet se u përkasin një grupi shqiptarësh të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se gërmimet vijnë pas hetimeve dyvjeçare dhe arrestimit të dy burrave të dyshuar një ditë më parë në këtë rajon të vendit.

"Ka edhe dyshime të bazuara se për cilin grup shqiptarësh të ekzekutuar bëhet fjalë. Tashmë një grup ka filluar punën intensive", tha Sveçla për Kanal 10.

Sveçla tha se bëhet fjalë për "varrezë masive", por nuk deshi të japë më shumë hollësi teksa gërmimet vazhdojnë.

Disa persona qëndrojnë në afërsi të vendit ku po kryhen gërmimet në Zubin Potok. 29 korrik 2026.
Disa persona qëndrojnë në afërsi të vendit ku po kryhen gërmimet në Zubin Potok. 29 korrik 2026.

Më herët, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimet po zhvilloheshin me kërkesë të Prokurorisë dhe urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, tha ajo.

Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth rastit, duke thënë se është herët pasi gërmimet janë duke u zhvilluar në këtë kohë.

Më vonë, Prokuroria tha në një njoftim se dy burrat e arrestuar të hënën në rajonin e Mitrovicës për krime lufte, me inicialet M.J dhe M.B., dyshohen pikërisht për këtë rast.

"Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës", thuhet në njoftim.

Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë luftës së viteve 1998-’99 u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë.

Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri në vitin 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në mesin e zotimeve të bëra ishin: qasja e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, gjithçka vazhdon të mbetet në letër, meqë asnjëra pikë nuk është zbatuar.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia e mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, i cili nuk dha ndonjë rezultat.

XS
SM
MD
LG