Ndërlidhjet

Nuk e preferojnë autopsinë


Klinika Kardiologjike në Prishtinë
Klinika Kardiologjike në Prishtinë

Qytetarët e Kosovës nuk e preferojnë apo edhe nuk janë të informuar për autopsinë si një procedurë mjekësore që konsiston shkakun dhe kohën e vdekjes.

Familjarët e personit me inicialet N.S, 53 vjeç, i cili kishte vdekur pak pasi që kishte vendosur tre stenta, nuk kanë pasur informata për autopsinë, nëse ajo do ta zbulonte shkaktarin e vdekjes.

Ata thonë se nuk kanë marrë ndonjë informatë nga personeli mjekësorë se do të mund të bëhej autopsia. Derisa stafi mjekësor thotë se pa kërkesën ose miratimin e familjarëve, nuk e praktikojnë një gjë të tillë.

Familjarja e të vdekurit, Lendita Selimi tregon se si janë penduar që nuk kanë pasur informata për autopsinë, pasi që para vënies së stentave , tashmë i ndjeri nuk ka qenë në gjendje të keqe shëndetësore.

“Ne kemi pasur një rast vdekje në familje ditët e fundit. Ka vdekur në moshën 53 vjeçare djali i axhës. Autopsi nuk kanë thënë stafi mjekësor se duhet t’i bëjnë, por as ne si familjarë nuk kemi pasur njohuri se duhet të kërkojmë një gjë të tillë”, thotë ajo.

“Ai i ka vendosur stenta dhe pas kësaj procedure disa ditë më vonë ka vdekur. Tash kur po e diskutojmë vdekjen e tij të hershme, po na shkakton shumë dhimbje. Ne nuk po e dimë shkaktarin e vdekjes, meqë gjendja e tij shëndetësore para vendosjes së stentave nuk ka qenë e keqe dhe po ndjehemi me faj dhe të zhgënjyer që nuk kemi kërkuar t’i bëjmë autopsi”, thekson Selimi.

Për gjithë vitin 2017, janë kryer gjithsej 17 autopsi. Ndonëse gjatë po këtij viti kanë ndodhur rreth 1500 vdekje në 36 klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës , shumica e familjarëve janë ata që kanë stopuar procedurën e autopsisë edhe nëse vdekja ka qenë e dyshimtë. Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Sopa, ushtrues detyre i drejtorit në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Kërkesat për autopsi janë të vogla apo të rralla dhe pothuajse nuk ka kërkesa fare. Kërkesat që bëhen janë zakonisht për morg e që nënkupton pranimin e kufomës dhe dorëzimin tek familjarët, por jo edhe të kryhet autopsia”.

“Procedura për autopsi nuk ka, por që ato raste që i përcjellim për autopsi i kërkojnë zakonisht prindërit që ju vdesin foshnje me peshë shumë të vogël, që të dihet shkaktari”, thotë Sopa.

Drejtuesi i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra tha se duhet informim dhe vetëdijesim i qytetarëve që obduksionet e trupave të pajetë të kërkohen të kryhen, pasi që siç thotë ai, shumë gabime mjekësore i mbulon dheu.

Ai shton se familjarëve të pacientëve të vdekur në institucionet shëndetësore, nuk iu shpjegohet mirë për procesin e autopsive, ngase, sipas tij, këto institucione dhe pikërisht profesionistët shëndetësorë nuk kanë shumë interes të bëhen të ditura shkaqet e vdekjes së pacientëve.

“Mendoj se autopsi bëhet shumë pak tek trupat e pajetë. Ndër vite kjo dukuri ka shënuar rënie, dhe kjo na dërgon deri te mosdija se pse ka vdekur pacienti. Normalisht ka mund të jetë vdekje natyrale, por edhe gabime të mjekëve që ne nuk i dimë dhe as që i kupton ndokush ndonjëherë”.

“Andaj duhet vetëdijesim më i madh i vetë popullatës që kjo gjë të kërkohet nga stafi mjekësor, në qoftë se vdekja është e parakohshme apo e dyshimtë”, tha Kodra.

Në anën tjetër zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu tha se trupave të pajetë, për të cilët jep urdhër prokuroria, u kryhet autopsia në këtë institucion edhe pa miratimin e familjarëve, derisa për të tjera vdekje, stafi mjekësor obligohet ta ketë nënshkrimin e ndonjë anëtari të familjes.

“Janë evidente vështirësitë që hasin stafi shëndetësorë në kuadër të QKUK së dhe shumë herë nëpër klinika ka hezitim nga familjarët që të kryhet autopsia edhe pse legjislacioni në fuqi obligon që sidomos tek vdekjet e dyshimta të kryhet autopisa dhe të zbulohet shkaktari i vdekjes, por stafi shëndetësor has në vështirësi, pasi kërkohet nënshkrimi i familjarëve”, tha Fazliu.

Sidoqoftë prej pas luftës, kur edhe është ndryshuar Ligji për autopsinë nga ndërkombëtarët në Kosovë, ka rënë ndjeshëm numri i autopsive, thonë profesionistë shëndetësorë.

Para ndryshimit të Ligjit për autopsitë, në vitin 1998 frekuenca e autopsive ka qenë 45. 11 për qind. Ndërsa, me ndryshimin e ligjit, atëherë kur edhe është bërë një hulumtim i numrit të autopsive në vitin 2009, statistika ka rënë në 2 për qind për shkak të këtij ligji.

XS
SM
MD
LG