Suzana Hoxha end qilima tash e 30 vjet. Zanatin që ka trashëguar nga nëna dhe gjyshja, ua ka mësuar vajzës dhe nuses së djalit, por edhe mbesës 12 vjeçe.
Njësoj thotë se do t’ia mësojë edhe mbesës tjetër një vjeçe.
“Mezi pres të bëhet dy vjeçe e ta ul në tezgjah. Ashtu kam bërë edhe me mbesën e madhe. Dua shumë që ky zanat të mbetet dhe të mbijetojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Suzana, apo, siç e njohin të gjithë në Elbasan, Zana e qilimave.
Ajo tregon se ka punuar për vite me radhë në ndërmarrjen e qilimave në Elbasan - qytet ky në qendër të Shqipërisë.
Pas viteve ’90, kur shumë ndërmarrje prodhuese u shkatërruan, Zana mendoi se si mund të vijonte ta ushtronte këtë zanat.
“Në atë kohë, ata që ishin pronarë të tokës ku ishte ndërtuar ndërmarrja, po mendonin t’i çonin makineritë e tezgjahut në uzinën e metalurgjikut për t’i shkrirë. Kam bërë sakrificë të madhe për t’i blerë ato. Kam marrë para borxh, sepse nuk kisha”, kujton Zana.
Ajo thotë se nuk mund të imagjinonte se si ato makineri që kishin prodhuar mijëra qilima, do të përfundonin duke u shkrirë në zjarrin e uzinës.
“U gëzova shumë që arrita t'i blej. Kështu, nisa punën në shtëpinë time”, thotë Zana.
Copëza qilimash dhe kujtimesh
Ajo punon qilima me motive tradicionale, por ka shtuar edhe elemente moderne, kohëve të fundit.
“Porositë kryesore i kam nga Kosova. Shpesh vijnë me një copë të vogël qilimi dhe më thonë se e kanë pasur kujtim nga nëna. Për shkak se shtëpitë u janë djegur gjatë luftës, por u ka mbetur një copë e vogël, e vjetër, një motiv, ata duan që unë t’ua punoj ashtu siç i kanë pasur”, thotë 50-vjeçarja.
Aktualisht, ajo është duke punuar në një porosi që i ka ardhur nga një shqiptare në Belgjikë - një qilim me përmasa 2 me 3 metra, me ngjyrë të kuqe dhe me shqiponjën dykrerëshe në mes.
Porosi nga e gjithë bota
Gjatë ushtrimit të këtij zanati, Zana thotë se ka pasur edhe momente të vështira, sidomos gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, kur shumica e blerjeve janë pakësuar.
“Por, me paraqitjen e punës sime edhe online, kam nisur të marr porosi edhe nga Zelanda e Re, Amerika, Kanadaja, Australia, Kina... Madje prej andej kam disa klientë besnikë që gjithnjë kërkojnë qilima”, thotë Zana.
Ajo tregon se, së voni, është shtuar interesimi nga të huajt për qilimat shqiptarë, sepse, siç thotë, ata e vlerësojnë më shumë punën e dorës.
“Të bësh një qilim mesatar 1.5 m me 2 metër merr dy javë kohë, nëse punon çdo ditë nga 8 orë. Një qilim me detaje mund të dojë edhe një muaj, edhe pse mund ta ketë të njëjtën madhësi”, thotë artizania, duke shtuar se vlerat e tyre ndryshojnë, varësisht madhësisë, motiveve apo detajeve.
Artizania ngjyros fijet e leshit në mënyrë natyrale
Zana përdor një teknikë tejet të veçantë për t’i ngjyrosur fijet e leshit, me të cilin punon në tezgjah.
“Ngjyrosjen e fijeve të leshit nuk e bëj me kimikate, por në mënyrë natyrale, ashtu si nënat tona dikur që kanë gjetur zgjidhje për gjithçka. Për ngjyrën e zezë përdor gjethet e frashrit, për ngjyra të tjera përdor gjethet e dafinës, lëvoren e qepës, panxharin etj. Lëngut të bimëve, para se t’i fus fijet e leshit në të, i shtoj edhe kripë, për ta forcuar ngjyrën. Vetëm e kuqja kërkon ngjyrosje me kimikate”, tregon Zana.
Ajo thotë se është e lumtur që shumë qytetarë nuk e kanë më atë dëshirën e pas viteve ‘90 për t’i flakur tej qilimat dhe për të blerë tapete.
Tani ndodh e kundërta dhe Zana thotë se e vëren këtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe te shqiptarët jashtë vendit.
Mungesë e mbështetjes nga shteti
Zana tregon se nuk ka pasur asnjë mbështetje nga shteti.
“Jam ftuar në shumë aktivitete, më kanë nxjerrë në rrjetet e tyre sociale, më kanë bërë prezantime shumë të bukura, por kaq - vetëm fjalë të bukura”, thotë ajo.
Mbështetja e saj më e madhe mbeten dy fëmijët e saj - vajza dhe djali.
Ajo tregon se disa herë ka dashur ta mbyllë si aktivitet, për shkak të vështirësive të ndryshme, por se fëmijët e kanë nxitur dhe ndihmuar gjithnjë dhe për këtë është falënderuese.
Problem për të, megjithatë, mbetet gjetja e punëtorëve.
Edhe pse aktualisht punon vetëm, kur ka fluks porosish dhe i duhet ndihmë, nuk arrin të gjejë punëtorë.
Për të realizuar në kohë porosinë, ajo kërkon ndihmën e motrës, vajzës, nuses së djalit e të afërmve të tjerë.
“Edhe kur vjen ndonjë vajzë që dëshiron ta mësojë zanatin, mërzitet shpejt. Kjo punë do pak forcë krahu, por do përqendrim e vëmendje të madhe, sepse motivet vështirë realizohen”, përfundon Zana e qilimave.